Me kryeministrin Edi Rama që mungonte në sallën e Kuvendit, përgjigjen Lulzim Bashës për vettingun në politikë ia dha kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili tha: Hetimin tim, tëndin, të Metës, Ramës e kujtdo tjetër mund ta bëjë vetëm SPAK e BKH.


Balla ju përgjigj edhe akuzës së Bashës për fshehjen që kryeparlamentari Ruçi i ka bërë pr.ligjit të opozitës, duke mos e publikuar në fletoren zyrtare të Kuvendit.


Jurist mediokër që duhet ti kërkojmë edhe diplomën, akuzove kuvendin se nuk po publikohet propozimi yt po aq mediokër sa edhe nisma që përfaqëson. O jurist, o Lulzim, ka një nen rregullorja, është neni 77 për shqyrtimin e nismave, e ke depozituar të premten, seanca e parë është sot, juristit Lulzim i qenka mohuar e drejta e propozimit? O Jurist, o Lulzim, nisma për rishikimin e Kushtetutës, kryetari e njofton Kuvendin në seancën plenare dhe iu shpërnda deputetëve teksti i projektligjit, në orën 10:03 u njohëm me propozimin në tavolinat përballë karrigeve bosh, të juristit Lulzim dhe deputeteve part time, tha Balla nga foltorja e Kuvendit.


Në fund Balla e akuzoi Bashën se me nismën për vetting në politikë po shënon përpjekjen e fundit për të penguar vijimin e reformës në drejtësi.


Nisma jote është që politika të auto-hetojë vetveten, ndërkohë që me SPAK e BKH e bëjnë organet e pavarur të drejtësisë, deklaroi Balla.


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)