Taulant Balla thotë se opsionet e opozitës për të dalë nga çadra shterojnë me kalimin e ditëve. Duke folur në Top Story këtë të entje, ai akuzoi Partinë Demokratike se po refuzon dialogun.


Përpjekja jonë e karakterit politik për ti kërkuar KQZ që ti japim një mundësi tjetër për të bërë të mundur regjistrimin e tyre për zgjedhjet ishte një mesazh për të vijuar dialogun. Edhe ajo çfarë ndodhi sot dhe dje në Kuvendin e Shqipërisë është në të njëjtën linjë për të krijuar dhe patur një paketë çështjesh për të negociuar, tha ai.


Në cilësinë e kryenegociatorit të socialistëve, Balla kritikoi edhe qëndrimin e mbajtur nga Presidenti i Republikës.


Ne na duhet një President që të kishte mundësinë të thërriste në kohë partitë politike për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, si të reformës zgjedhore, ashtu edhe për reformën në drejtësi që është gurthemeli i ecurisë europiane të vendit tonë. Presidenti duhet të jetë një President që duhet të ketë kompetencën dhe dëshirën për të ulur partitë politike sa herë që Shqipëria ka nevojë për dialog. Do të ishte mirë që ta kishte luajtur këtë rol. Ne nuk kemi kushte për tu ulur në dialog. Kushti i vetëm është respektimi i Kushtetutës. Ne duam dialog, tha Balla.


Deputeti socialist shtoi se mazhoranca nuk dëshiron që zgjedhjet të zhvillohen pa opozitën, por u shpreh i bindur se ato do të mbahen më 18 qershor.


Shqipëria ka një Kushtetutë dhe më 18 qershor do të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri, tha ai.


Balla komentoi edhe paralajmërimin e Lulzim Bashës për përshkallëzimin e protestës.


Angazhimi ynë është bërë e qartë që duam të kemi një proces dialogu. Duhet të çojmë përpara Vettingun se është kushti themelor për të ecur përpara Shqipëria në procesin e integrimit. Shqiptarët nuk kanë nevojë që dikush tu bllokojë rrugën. Kush bllokon vettingun është kundër vendeve të punës. Shqiptarët kanë nevojë për vende pune dhe rritje ekonomike. Reforma në drejtësi ndikon edhe tek ekonomia dhe rritja ekonomike. Apeli im për opozitën është që kemi nevojë për dialog dhe jemi të hapur të diskutojmë, të gatshëm të dialogojmë dhe përmes tij mund të gjejmë zgjidhje, por gjithmonë sipas parimeve kushtetuese, u shpreh Balla.


Lidhur me votimin elektronik, që është një prej kërkesave të opozitës, Balla la të kuptohej se është e pamundur që të realizohet.


Përmendja e këtij kushti 59 ditë para zgjedhjeve është…. OSBE na ka thënë që nuk ka vend që e ka bërë në më pak se dy vjet dhe pa bërë më parë një projekt pilot, jo më të themi që ne e bëjmë në më pak se 60 ditë, deklaroi deputeti socialist.


Ai kërkoi sërish nga opozita që të rikthehet në Kuvend dhe të votojë Vettingun, ligj që ka kaluar edhe Gjykatën Kushtetuese.


Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë frikë nga vettingu dhe nga rezultati i zgjedhjeve, u shpreh ai.


21 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)