Taulant Balla në Parlament


Deputeti socialist, Taulant Balla, akuzoi qeverinë se ka dështuar përballë krimit, shifrat e të cilit vijnë në rritje. Duke paraqitur edhe shifrat e fundit të kriminalitetit në vend, Balla akuzoi Kryeministrin se me emërimet politike e ka kthyer Ministrinë e Brendshme në një institucion tërësisht të paaftë. Vetëm në Sirinë e Asadit dhe Shqipërinë e Saliut është regjistruar në këto muaj ky bilanc tragjik jetësh të humbura. 500 të vdekur e të plagosur nga krimi dhe aksidentet janë provat më dramatike se Berisha dhe tufa e militantëve dhe badigardëve që drejtojnë sot Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit kanë dështuar totalisht në garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptare, deklaroi Taulant Balla. Ndër rastet më flagrante të dështimeve të Policisë, ai përmendi edhe një herë vrasjet e bujshme të deputetit socialist Fatmir Xhindi, ajo e gjyqtarit në Vlorë, Skerdilajd Konomi etj. Sipas Ballës, kjo qeveri ka dështuar dhe prandaj duhet të largohet një orë e më parë. Partia Socialiste do ta shndërrojë Policinë e Shtetit në një forcë profesionale, në shërbim të qytetarit e jo në shërbim të partisë së radhës, tha Balla.