bALLA-334x200TIRANË, 25 Nëntor /ATSH/ - Në kuadër të takimeve të Partisë Socialiste "Të pastrojmë më tej Shqipërinë" komunikimi vijoi sot në Bashkinë Belsh, ku nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla së bashku me deputetin e kësaj zone Musa Ulqini dhe Ministren Milena Harito u takuan me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste Belsh dhe anëtarët e rinj të pranuar gjatë dy muajve të fundit.

Në fjalën e tij, deputeti Balla informoi të pranishmit me reformat më të rëndësishme të ndërmarra gjatë dy viteve të qeverisjes socialiste. Duke e cilësuar si aksionin më të rëndësishëm të qeverisë Rama, atë në sistemin e energjisë, deputeti Balla tha se u bë e mundur të nxirrej sistemi nga një gropë ku e kishte zhytur qeveria paraardhëse. "Aksioni ynë i parë ishte pastrimi i sektorit energjetik nga problemi i madh i mospagimit të faturave të energjisë elektrike, i vjedhjeve dhe i lidhjeve të paligjshme dhe zhytja e sistemit energjetik në gropë" .

Një tjetër aksion mjaft i rëndësishëm, ku përfitim të drejtpërdrejtë pati dhe Bashkia Belsh, ishte ai i reformës administrative territoriale."Pastrimi i hartës administrative territoriale nga ca komuna që një zot e di pse ekzistonin ende. Kishte komuna që më shumë kishte punëtorë në komunë sesa njerëz me ndihmë ekonomike; kjo është arsyeja pse Bashkia Belsh u ruajt pikërisht për të mirëadministruar një prej perlave natyrore të Shqipërisë në një mënyrë shumë serioze", u shpreh ai.

Balla, gjatë prezantimit të reformave të nisura nga Qeveria, u ndal edhe në aksionin më të fundit të qeverisë, atë të luftës kundër informalitetit. Duke iu përgjigjur edhe interesit të të pranishmëve, Balla tha se, "politika jonë fiskale që hyn në fuqi në 1 janar ka zeruar taksat për 83 500 biznese, të cilat kanë një xhiro deri në 5 milionë lekë. 0 taksë, por ama duhet të shesësh me kupon". /b.k//m.m/