ismail morinajGjykata e Apelit ka lënë në burg Ismail Morinën, i njohur ndryshe si autori i dronit që u ngrit në stadiumin e Beogradit më 14 tetor të 2014-s. Në seancën e ditës së sotme, gjykata la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, pavarësisht kërkesës së avokatit mbrojtës, Ardian Visha, për ta ndryshuar masën në "arrest shtëpie".

Këtë të premte në sallë ishin të pranishëm edhe familjarët e Morinës, ku në reshtin e parë në sallën e gjyqit qëndronte ulur nëna e Ballistit. Në këtë seancë ra në sy edhe prania e Marsel Qeleshit, 18-vjeçari i cili qëlloi me gurë autobusin e ekipit serb ndërsa vinin drejt Tiranës për të luajtur ndeshjen e kthimit në "Elbasan Arena".

Duke folur në gjykatë Morinaj ka thënë se i mbante armët me vete pasi ndihej i kërcënuar, ndërsa ka sqaruar se njëra prej tyre nuk funksiononte siç duhet.

Në vijim ai deklaroi se ka kërkuar mbrojtje nga Ministria e Brendshme, por një gjë e tillë nuk i është dhënë. Në përfundim të seancës avokati mbrojtës i "njeriut të dronit", deklaroi se do bëhet rekurs i vendimit.

10:50 - Shtyhet seanca për "Ballistin", Prokuroria: Armët, të rregullta për qitje

Sot gjykata pritet të vendosë për "fatin" e Ismail Morinajt, autorit të dronit që u ngrit në stadiumin e Beogradit më 14 tetor të 2014-s.

Seanca për Ismail Morinën zgjati vetëm pak minuta në Gjykatën e Apelit, pasi u shty për në orën 13:30. Shkak për këtë u bë debati mes avokatit dhe trupit gjykues.

Në seancën e sotme, Prokuroria paraqiti aktin e ekspertimit të armëve, duke theksuar se, "armët që Morina kishte me vete në momentin e arrestimit ishin teknikisht të rregullta për qitje".

Ismail Morina, i njohur me nofkën "Ballisti", ndodhet nën masën e sigurisë "arrest me burg", pasi u kap me dy armë pa leje në Tiranë, një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi që do të luhej në "Elbasan Arena".

Morina pretendon se armët i mbante për vetëmbrojtje, pasi ndihej i rrezikuar për jetën që pas ngjarjes së Beogradit.


/Shekulli Online/