15/04/2011  Ka shumë nota humori, edhe pse është një ngjarje dramatike e tepër serioze. Kjo është mënyra me të cilën regjisori Edmond Budina ka zgjedhur të komunikojë në filmin e tij më të fundit “Balkan Bazar”, i cili ka pasur dje premierën e tij në Tiranë.


Filmi ka në linjën e tij një ngjarje reale, skandalin e shitjes së eshtrave në Kosinë të Përmetit në vitin 2006 e megjithatë mbi këtë histori regjisori ka ditur të ndërtojë diçka më shumë.


Përmes ironizimit të ngjarjeve, mendësive, personazheve dhe situatave kërkohet të përçohet ideja e talljes së nacionalizmave, duke mos i mëshuar një identiteti të caktuar, por duke e kthyer në një fenomen ballkanas.


Ngjarja merr fill me dy personazhe të huaja. Francezja Joli (interpretuar nga aktorja franceze Catherine Wilkening) së bashku me vajzën e saj italo-franceze Orsola (interpretuar nga aktorja italiane Veronica Gentili) nisen në kërkim të eshtrave të gjyshit dhe babait të tyre, i cili kishte qenë një veteran francez i varrosur në Itali. Arkivoli së bashku me to përfundon në Shqipëri, ku ato zbulojnë fshatin jugor ku shiten dhe blihen eshtrat. Filmi (91 minuta i gjatë) është xhiruar në pjesën më të madhe të tij në fshatin Labovë të Kryqit, ndërsa sjell personazhe tipike si ai i gazetarit (Visar Vishka) që ndjek skandalin, i priftit që interpretohet nga vetë Budina, por edhe banorët e fshatit.


Secili tund flamurin e vet, politik, moral, ideologjik… Personazhe francezë, italianë, shqiptarë, shqiptarë që jetojnë në Greqi, maqedonas. Ata krijojnë një univers mendësish që përplasen, zbulojnë dhe mbeten në kërkim të asaj që është njerëzore. Personazhet e huaj janë katapultuar në një realitet të panjohur për ta dhe kjo i ka bërë të besueshëm. Një histori e pabesueshme, një histori kockash të zhvarrosura dhe një histori shitblerjesh për t’i paraqitur këto eshtra si ushtarë grekë.


Një ngjarje për të cilën historia dhe politika duhet të mbajnë qëndrim, por që regjisori Budina e ka parë të arsyeshme që të mos pozicionohet në njërën anë ose tjetrën, por thjesht të mbajë anën e atyre njerëzve që për të janë të ndershëm me veten e tyre. Ai vetë pohon se është kundër nxitjes së konflikteve dhe zhvarrosjes së fantazmave të së shkuarës, së ngjarjeve që kanë ndodhur 500 apo 600 vjet më parë dhe të rivendikojmë territoret, apo përkatësitë e një kombi a të një tjetri. “Ne duhet ta respektojmë dhe ta duam njëri-tjetrin”. Ndaj jo rastësisht ajo që fiton është ana njerëzore, e dashurisë.


Edhe pse konflikti kryesor është “ballkanas”, në fakt çfarë trajtohet është më unviersale. Konflikte mes “kombësive”, përçmime, qoftë edhe të vogla ekzistojnë edhe mes popujve të tjerë. Kështu, edhe francezët i shohin me një lloj përçmimi italianët. Është një batutë kur francezja thotë: “Eeee italianët, dihet si janë ata”. “Doja t’i jepja një frymëmarrje më të gjerë, pasi këto fenomene nuk ndodhin vetëm në Ballkan. Por, nga ana tjetër, edhe për një publik të huaj, i cili, në një mënyrë apo në një tjetër, do të gjejë veten”, komenton Budina.


E, pavarësisht ngjarjes “aktuale”, “të prekshme”, apo “nxitëse” filmi megjithatë do të ishte i vakët sikur t’i mungonte përmasa e njerëzores, që Budina ka ditur t’ia japë shumë mirë. Kjo bëhet e prekshme përmes situatave, personazheve dhe veçantive të tyre, secili “pikturuar” në fizionominë e vet. Çdo personazh ka anën e vet “të butë”, “të metat” e veta humane dhe është pjesë e një “kazani të përbashkët”.


Nuk mund të veçohen prej këtij “kazani” as dy gratë franceze dhe bija e saj gjysmë italiane, të cilat dashurohen njëra me “grekun” Dhionis dhe tjetra me gazetarin shqiptar që i ndihmon për të gjetur eshtrat e të parit të tyre.


Ato ndjehen më të afërta me këtë realitet “përtej ballkanas”, nën një gjuhë përtej “ndasive”. Në fillim dyshuese, deri edhe paragjykuese për ballkanasit, në fund ato komentojnë pozitivisht vlerat dhe historinë e lashtë të Greqisë dhe Shqipërisë. Për to është veç të tjerash shumë romantike se si një burrë “Pirrua i Epirit” (grek apo shqiptar?!) ndërton një kala për gruan e vet dhe i vë emrin e saj…


Gazetari është gjithashtu një nga karakteret kryesore në film, i cili krahas sharmit fizik paraqitet si një personazh që “rrëfen” së tepërmi për një grupim të caktuar në ditët e sotme: të riun që kërkon të pasurohet dhe të fitojë famë. Porse gjithmonë pa lënë mënjanë dëshirën për të jetuar, shijuar dhe dashuruar.


Një ndër personazhet më interesantë është padyshim prifti, i interpretuar nga vetë Budina. “Tashmë kanë kaluar shumë vite, nuk jam më djalë i ri, por burrë i vjetër dhe jam zhveshur nga ndjesia e të qenit vanitoz dhe të vënit në qendër të vetes sime. Kjo më ka ndihmuar shumë dhe më bën që në filmat ku jam edhe aktor ta shoh veten të distancuar”, shprehet artisti, ndërsa shpjegon pozicionin e vet të dyfishtë, si regjisor dhe si aktor. “Nuk shqetësohem fare nëse diku e kam profilin më mirë, apo më keq, por shoh të mirën e së tërës në film. Përgjithësisht zgjedh njerëz të besuar, me të cilët punoj dhe nuk e kam problem që t’u kërkoj ndihmë apo mendim. Nuk kam aspak turp ta bëj këtë. Por tashmë kam fituar një lloj eksperience, sidomos gjatë punës në RAI. Aty nuk ka kohë të mendosh, duhet bërë dhe pikë. Në momentin që ti hyn në shesh-xhirim duhet të jesh i saktë në atë që bën”, vijon ai.


Personazhi i priftit, një shqiptar “i tjetërsuar” në grek mund të themi se është një ndër vizatimet më të mira dhe kurioze të gjithë atyre rasteve dhe personave, përfaqësues të fesë dhe jo vetëm, të cilët ndërrojnë identitet sipas interesave të rastit dhe të kohës dhe që veshin një petk “(a) shpirtëror” për t’i propaganduar “vlerat” në situata të caktuara.


Megjithatë, çdo qenie përveç anës që shfaq ka dhe anën tjetër të tij që nuk mund të fshihet dhe zhduket me kohën. Mbart të shkuarën, dëshirat, ëndrrën… Mbart vetveten që në fund të fundit do të zbulohet duke “tradhtuar” të shitshmen.


Ky dimension mund të thuhet se nuk i mungon filmit të Budinës. Episodet e ëndrrës kur personazhet zbulojnë dëshirat dhe instinktet e tyre më të thella janë nga më spontanët dhe të vërtetët në film. Kështu për shembull prifti zbulon dëshirat e veta seksuale, ndërsa ëndërron i dehur, apo ndërsa këndon “harrohet” dhe fillon e ia merr këngës për priftin dhe hoxhën në shqip. Po kështu vjen interesant edhe personazhi i kameramanit (Erand Sojli), i fshatarit që ndihmon në hapjen e varreve, gruas së priftit, etj.


Janë një mori detajesh të vogla që bashkë bëjnë të tërën dhe që i japin larmi dhe natyrshmëri filmit. Humori e bën në këtë sens edhe më real e të vërtetë.


Filmi është një prodhim shqiptaro-italian, me skenarist dhe regjisor Edmond Budinën, operator Daniele Baldaçi, producent Sabina Kodra dhe Enio de Domeniçis interpretojnë Jolie Catherine Wilkening, Veronica Gentili, Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Nikolla Llambro, Laert Vasili, Marko Bitraku, Behar Mera, Vasil Çuklla, Hajrie Rondo. Në një rol të vogël shfaqet edhe aktori Italian Luca Lionello (I njohur për filmin “The Passion of the Christ”).


Filmi ka kushtuar 600 mijë euro kosto industriale, e cila përveç produksionit përfshin edhe distribucionin. Qendra Kombëtare e Filmit ka financuar me 290 mijë euro, Ministria e Kulturës Italiane me 200 mijë euro, EraFilm Production me 30 mijë euro dhe MediaPlex-Distributori Italian me 80 mijë euro.


Pas shfaqjes në Tiranë filmi do të shfaqet në kinematë italiane, ndërsa mendohet të shfaqet edhe në vendet gjermanishtfolëse. Ashtu si “Letra ere” regjisori dhe producentët shpresojnë që filmi të merret nga “RAI”, apo “Sky”.