Nga Ardit Kurti


Ballkani njëpolar apo shumëpolar është një debat në lidhje me orientimin gjeostrategjik të rajonit. Një debat që është zhvilluar me shumë në tryezat e mbyllura të niveleve të larta të diplomacisë europiane dhe ndërkombëtare rreth formës strategjike që i duhet dhënë Gadishullit Ballkanik. Por ky orientim që kërkohet t’i jepet Ballkanit nga diplomacia europiane na shfaq dy shkolla mendimi lidhur me qasjen gjeostrategjike që i duhet dhënë Ballkanit.


Shkolla e parë mendon që Ballkanit i duhet një shtet që të ketë statusin e udhëheqësit të rajonit dhe që duhet të disiplinojë rajonin. Kjo shkollë përkrah idenë e një sistemi njëpolar, ku do të kemi një shtet lider që do të drejtojë rajonin. Por kjo do të ishte një situatë e papranueshme për çdo shtet duke parë shumëllojshmërinë e etniteteve që ka Ballkani.


Shkolla e dytë i përmbahet pikëpamjes se në kohën e zhvillimeve demokratike dhe të politikave të të gjithë shteteve ballkanike për integrim euroatlantik është më e drejtë që Ballkani të jetë shumëpolar. Kjo do të çonte që shtetet të kishin një status të barabartë si në raport me njëri-tjetrin por dhe në raport me faktorin ndërkombëtar.


Ky debat ka çuar në përplasje konceptesh dhe objektivash mes shteteve europiane që kanë interesa aktuale ose prespektive në Gadishullin e Europës Juglindore. Shpesh herë ky debat ka pasur ndikimet dhe pasojat e saj në bërjen e politikës rajonale të BE-së në drejtim të Ballkanit në përgjithësi ose shteteve të ndryshme në vecanti. Por çështja dhe thelbi i këtij debati nuk është nëse Ballkani duhet të jetë njëpolar apo shumëpolar. Problem kryesor i përplasjes së koncepteve të dy shkollave të mendimit por dhe i një grupi shtetesh europiane është se cilit shtet do t’i ngarkohet për të ushtruar rolin e liderit në Ballkan.


Një prononcim të hapur rreth këtij debati ka bërë Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në një intervistë për gazetën Financial Times më 03.01.2007. Ajo pasqyroi mjaft hapur se Serbia është vendi më i rëndësishëm në rajon. Pra kjo na jep një panoramë të qartë të pozicionit të Gjermanisë në radhën e atyre shteteve që mendojnë se Ballkani duhet të jetë njëpolar. Kjo është interesante pasi shohim qëndrimin e një shteti të fuqishëm në Europë, i cili mund të themi që historikisht nuk ka pasur lidhje të veçanta me Serbinë dhe gjithashtu nuk ka pasur në platformën e saj të jashtme për Ballkanin preferencën për një shtet si Serbia. Por që një shtet të ketë rolin e liderit në rajon duhet të ketë disa elementë si: të ketë potencial ekonomik, ushtarak, të ketë resurse energjitike të lëndëve të para strategjike, të kryqëzimit të rrugëve të rëndësishme të transportit ndërkombëtar e deri te lidhjet e veçanta që shteti përkatës mund të ketë me fuqi ose superfuqi botërore.


Por me situatën që u shfaq pas hyrjes së dy shteteve ballkanike në BE më 01.01.2007, Rumanisë dhe Bullgarisë u mendua qe roli dhe pesha e tyre do të influenconte Ballkanin por u pa që ato nuk i kishin këto kapacitete. Por me prishjen e Federatës Komuniste Jugosllave, shtetet e reja, ndonëse i përkisnin një ish-federate ballkanike, në mënyre për tu larguar sa më parë nga federata dhe komunizmi shpallën divorcin historik me ketë përkatësi, siç bëri Sllovenia dhe Rumania. Kjo ishte aq e prerë saqë Sllovenia ka refuzuar gjithmonë të marrë pjesë në konferenca apo tryeza që kanë mbledhur vendet e rajonit. Por gjithashtu dhe Rumania ka hedhur poshtë përkatësinë e saj ballkanike. Kjo sëmundje antiballkanike brenda Ballkanit çoi në përdorimin e termit Europa Juglindore që u përcaktua nga diplomacia europiane.


Por në vitin 2000 me iniciativë te diplomacisë franceze u vendos në qarkullim termi Ballkan Perendimor, ku u përfshinë ish-republikat jugosllave pa Slloveninë dhe Shqipëria. Por duke i dhënë rëndësi proceseve integruese shtetet nuk i dhanë rëndësi të madhe këtij termi. Por ky term i pakuptimtë gjeografik dhe historik Ballkan Perendimor është bërë një term i detyrueshëm politik deri në masën saqë ka nisur të barazohet me termin Ballkan. Madje dhe shteti më i dashuruar me termin Ballkan, meqë ka malet me këtë emër, Bullgaria, ka dalë me atë mendim njësimi. Kjo ka bërë që çdo vend ballkanik, sapo hedh hapin e bashkimit në BE, nxiton të heqë mantelin ballkanik dhe tu a lërë sa më parë të tjerëve. Kështu bëri Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania, sapo u anëtarësuan në BE.


Por ideja e një shteti lider si Serbia në rajon është disi e pakuptimtë duke pasur shtete si Greqia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia që janë anëtare të NATO-s dhe BE-së, Turqia një shtet anëtar i NATO-s dhe Kroacia anëtar i NATO-s dhe anëtare e BE-së. Pra asnjë prej këtyre shteteve nuk do të pranonte që Serbia të udhëheqë mbi to. Por në Ballkanin Perëndimor bëjnë pjesë dhe Shqipëria, ku bashkë me serbët dhe shqiptarët janë populli më i madh në Ballkan. Dhe në asnjë rrethanë ato nuk do të pranonin rolin e liderit të njëra-tjetrës duke parë potencialet e tyre të barabarta për një destabilizim të Ballkanit.


Pra një Ballkan njëpolar nuk do të kishte asnjë perspektivë stabilizimi dhe zhvillimi demokratik, por do të ishte një shkak trazirash dhe luftrash. Ndërsa një Ballkan shumëpolar do të bënte që çdo shtet të drejtonte demokracinë dhe ekonominë e saj dhe të integrohet individualisht në BE dhe NATO. Siç shohim për një zhvillim të mëtejshëm të Ballkanit duhet që çdo shtet të japë kontributin e saj por jo duke diktuar mbi të tjerët por duke i dhënë rëndësi zhvillimit të saj të brendshëm.