TIRANE -“Albcontrol” është emërtimi i ri i Agjencisë Shqiptare të Trafikut Ajror, më parë Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror (ANTA).

Promovimi i imazhit të ri të “Albcontrol”, por edhe vizioni për vitin 2014, mblodhi në një aktivitet, Kryeministrin, Edi Rama, kabinetin qeveritar, deputetë, ambasadorë të vendeve të BE-së në Tiranë, si dhe përfaqësues të trafikut ajror të Kosovës.
Në fjalën përshëndetëse drejtoresha e “Albcontrol”, Belinda Balluku, foli për misionin, vizionin dhe performancën e këtij institucioni.

Në një prononcim për ATSH-në, Balluku tha se “Misioni i “Albcontrol” është të ofrojë shërbime të lundrimit ajror në hapësirën shqiptare në kushtet e parrezikshmërisë, cilësisë dhe kujdesit ndaj mjedisit dhe i orientuar ndaj klientit”.

Duke folur për standardet, ajo theksoi se “vizioni i “Albcontrol” është të ofrojë shërbime të certifikuara të lundrimit ajror konform kërkesave të Bashkimit Europian për parrezikshmërinë dhe cilësinë, duke përmbushur me rigorozitet standardet e Single European Sky (SES)”.

Sipas Ballukut, ndër objektivat kryesorë të “Albcontrol” është përmirësimi i eficencës së fluturimit dhe reduktimit në nivele më të ulëta të vonesave”.

Balluku argumentoi edhe arsyen që çoi në emërtimin e ri. “Albcontrol” është emërtimi ynë i ri për të qenë sa më pranë identitetit shtetëror dhe kombëtar, për të përfaqësuar sa më mirë shërbimet që ofron dhe për t’u përafruar me shoqëritë simotra europiane, që nga 15 nëntori 2013,” tha ajo.

Ky promovim u përshendet edhe nga ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes., Arben Ahmetaj.

ANTA u krijua si ndërmarrje shtetërore në vitin 1992 dhe u transformua në shoqërinë aksionere “Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror më 3 shkurt 1999. Kjo shoqëri menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare në përputhje me standardet ndërkombëtare të lundrimit ajror. “Albcontrol” është shoqëri aksionere me kapital 100% shtetëror, pronë e ministrisë së ZHETS. Që nga viti 2003, është anëtare e “Eurokontrol” dhe nga viti 2009 anëtare e, Civil Air Navigation Services Organization (CANSO).

(er.nu/BalkanWeb)