Historia e plotë e krijimit të bandës kriminale; zanafilla e konfliktit me bandën rivale të Zan Caushit; krimet e kryera, në kronologji nga prokurori në 43 faqet e konkluzioneve përfundimtare





Pas 5 vitesh gjyqe, herë të zhvilluara dhe herë jo, më në fund dje prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, kërkoi deklarimin fajtorë dhe dënimin me “burgim të përjetshëm” për 6 të pandehurit e bandës së Gaxhait, e njohur në Vlorë si banda rivale e Zan Caushit dhe për kryerjen e një sërë veprash kriminale. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, të përmbledhura në 43 faqe, prokurori Beci hodhi dritë mbi nisjen, funksionimin dhe krimet e kryera nga banda e Gaxhait. Gjithashtu, u hodh dritë përmes dëshmive të një sërë personave që kishin dijeni apo kishin qenë dëshmitarë okularë të ngjarjeve, për disa krime të rënda që i atribuohen kësaj bande. Prokurori renditi dëshmitë që provojnë faktet, copëza nga këto dëshmi që provojnë krimet e kryera, si dhe përplasjet e rënda dhe me shumë viktima të dy bandave, asaj të Gaxhait të drejtuar nga Gazmir Brakaj dhe asaj të Zan Caushit. Sipas prokurorit, nga hetimi dhe gjykimi ka rezultuar se krijuesi dhe personi që organizonte gjithçka në këtë bandë ishte i pandehuri Gazmir Brakaj. Në të njëjtin rol rezulton të këtë qenë pozicionuar dhe shtetasi Alfred Nebiu (Kakami). Ndërsa të pandehurit Edmond Leskaj, Armando Sulejmani, Sokol Sinomati dhe Gazmend Nebiu kanë qenë pjesëmarrës në këtë organizatë kriminale.





Krijimi i bandave kriminale në Vlorë





Gjatë hetimit disavjeçar nga ana e Prokurorisë për bandat kriminale të krijuara në qytetin bregdetar të Vlorës dhe funksionimin e tyre, fillimisht si spontane dhe më pas më të kristalizuara, falë dëshmive të grumbulluara në vite, prokurorët kanë mundur të hedhin dritë mbi krimet e rënda dhe mizore që kanë kryer anëtarët e këtyre bandave. Në fillim të vitit 1997, kushtet e sigurisë publike në qytetin e Vlorës ishin përkeqësuar së tepërmi. Në ditët e para të muajit mars, si rrjedhojë e disa zhvillimeve social-politike në qytetin e Vlorës, janë hapur depot e ushtrisë dhe armët u morën nga civilët. Në këto kushte, kur rendi dhe siguria publike nuk ekzistonin më, në qytet filluan të krijoheshin grupimet e para të personave të armatosur. Si pasojë edhe e hapjes së burgjeve në Shqipëri, persona me precedentë të rrezikshëm penalë u lanë të lirë dhe filluan që të organizoheshin në grupe të vogla kriminale, që më pas nga fundi i muajit mars 1997, në Vlorë u kristalizuan si banda të armatosura. Në ditët e para pas hapjes së depove dhe pas armatosjes së një pjese të madhe të popullsisë, këto grupe filluan të kenë ndikimin e tyre kryesisht në “mbrojtjen” e lagjeve apo të zonave ku ata kryesisht banonin. Sipas akuzës, konfliktet mes këtyre personave të grupuar nuk ishin shfaqur akoma. Në qytetin e Vlorës në atë kohë filluan të ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal tri grupe, grupi i Xhelitajve në lagjen “Çentrale”, grupi i Zanit në lagjen “Çole”, si dhe grupi i Gaxhait. Gjatë muajit mars, këto grupe jo vetëm që ishin spontane në organizim, por dhe nuk kishin ende ndonjë konflikt me njëri-tjetrin. Ata u përqendruan kryesisht në ruajtjen, që sipas tyre, do t’i bënin qytetit nga forcat qeveritare të asaj kohe. Gjatë veprimtarisë së mëtejshme të këtyre grupeve, filluan të viheshin re aktivitetet e para të tyre kriminale për t’u konsoliduar më pas si banda të armatosura të mirëorganizuara dhe me plane të qarta veprimi. Dhe sipas të gjitha dëshmive të marra gjatë këtij gjykimi, momenti i krijimit të këtyre grupeve të armatosura përcaktohet më së miri nga fundi i muajit mars 1997. Dëshmitarët kanë shpjeguar se si grupi i drejtuar nga Gazmir Braka, njihej në Cerkovinë si banda e Gaxhait dhe se jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë. I pandehuri Gazmir Brakaj së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait (pseudonimi i të pandehurit Gazmir Brakaj). Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, sipas prokurorit, shërbejnë dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë, anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat. Nga deklarimet e banorëve të fshatit, rezulton se Gaxhai së bashku me të pandehurit e tjerë, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën herë pas here, ndihmonte me para njerëzit e fshatit. Gjithashtu, sipas prokurorit, provohet se mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin tek Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre.





Episodet kriminale





Vrasja e Ilir Marës





Në datën 17.03.1997 është vrarë shtetasi Ilir Mara dhe sipas të atit të tij, dëshmitarit Fejzo Mara, këtë vrasje e ka bërë Alfred Nebiu dhe Gazmend Nebiu. Atë ditë, në datë 17.03.1997, viktima ka dalë nga shtëpia në darkë, pasi e ka kërkuar Alfred Nebiu (Kakami) dhe nuk është kthyer më. Ai u gjend i vrarë pranë një bunkeri në Babicë, Vlorë. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Gazmend Nebiu, së bashku me Alfred Nebiun (Kakami), vrasjen e ka kryer pasi Ilir Mara ka qenë së bashku me një kushëririn e tyre, Ylli Nebiu, në vitin 1993, gjatë një konflikti që kishin me Viron Rrapajn, ku mbeti i vrarë Ylli dhe u plagos një shtetas tjetër me emrin Abedin Hasani. Nga sa ka rezultuar, Gazmend Nebiu këtë vrasje e ka kryer jo në kuadrin e bandës së Gaxhait, por për një konflikt familjar.





Vrasja e Bashkim Dules





Bashkim Dule është vrarë më datë 20.03.1997. Nga hetimi gjyqësor i këtij episodi rezultoi të provohet se në datë 20.03.1997, ditë kur dhe ka ndodhur vrasja, i pandehuri Gazmir Brakaj ka qenë së bashku me Edmond Leskajn, Bernard Duçkën, (Kuqo, i vrarë) e disa persona të tjerë të armatosur, ndër ta dhe Myrteza Caushi (Zani). Këtë vrasje, i pandehuri Gazmir Braka dhe i pandehuri Edmond Leskaj, e kanë kryer në bashkëpunim me personat e tjerë të sipërpërmendur. Fakti që ndër personat e tjerë të pranishëm kanë qenë dhe anëtarë të bandës rivale të Zanit, kur Gaxhai ka rrëmbyer së bashku me Kuqon viktimën Bashkim Dule, për ta vrarë më pas, tregon se në kohën e kryerjes së kësaj vrasjeje nuk ka qenë krijuar banda e armatosur e Gaxhait. Më konkretisht, lidhur me këtë vrasje, për të cilën janë akuzuar Gazmir Brakaj dhe Edmond Leskaj (Mond fshatari), rezulton të provohet se në datën 20 mars 1997, dy të pandehurit së bashku me Kuqon dhe Zanin, pasi kanë kontaktuar me Alfred Musatafën dhe Ergys Cepën, kanë gjetur banesën e viktimës Bashkim Dule dhe kanë shkuar atje. Pasi nuk e kanë gjetur në shtëpi, kanë shkuar tek banesa e Pajtim Dules (xhaxhai i viktimës), ku e kanë gjetur Bashkimin dhe e kanë marrë. Një ditë më pas, Bashkim Dule është gjetur i vrarë në afërsi të Parkut Komunal Vlorë. Këto u provuan në gjykim edhe nga dëshmitë e shtetasve Alfred Mustafa, Ergys Cepa, si dhe nga deklarimet e të afërmve të viktimës Bashkim Dule. “Ishin dhjetë veta, Gazmiri (Gaxhai), Kuqoja, Mond fshatari, Ergys Cepa, Myrteza Caushi, Lefteri, Astrit Çelomemaj, Armando Cipuri, të cilët pasi më rrëmbyen djalin, Bashkimin, i cili kishte 15 ditë që kishte dalë nga burgu, ku ka qenë i dënuar për një femër, largohen në drejtim të fushës së druve. Unë shkova në polici për të kërkuar ndihmë dhe ish-drejtori i policisë, Milto Kordha, na jep 10 policë pa armë. Kur shkuam afër fushës së druve, zbritëm dhe u afruam, aty e gjetëm djalin të vdekur, të vrarë...”, - ka deklaruar para gjykatës babai i viktimës, Skënder Dule.





Vrasja e Skënder Kurtit


Në datën 24.04.1997 është vrarë shtetasi Sadik Kurti. Nga provat e grumbulluara nga organi i akuzës rezulton e provuar se në datën 24.04.1997, rreth orës 21:40, disa persona të armatosur kanë shkuar në banesën e viktimës ku kanë kërkuar të takohen me Mond fshatarin (Edmond Leskaj). Pasi nuk e kanë gjetur në banesë, ata kanë marrë me forcë viktimën Sadiku dhe vajzën e tij, Marsela Kurti, e cila ka qenë më parë e martuar me të pandehurin Edmond Leskaj. Pasi kanë shkuar në afërsi të pallatit ku banonte Edmondi, personat e armatosur e kanë lënë të lirë Marselën, dhe ajo rrugës duke shkuar për në banesën e saj, ka dëgjuar të shtëna armësh. Më pas, Marsela së bashku me Drita Leskajn kanë dalë për të kërkuar Sadikun, të cilin e kanë gjetur të vrarë me dy plagë arme zjarri, tek cepi i pallatit pranë banesës së tij. Marsela Leskaj (Kurti), e bija e viktimës, e cila ka qenë së bashku me të atin kur e morën nga banesa për ta vrarë, shpjegoi se nga personat e armatosur ka mundur të njohë Gaxhain, pasi e kishte parë në një lokal në Radhimë, kur ishte së bashku me Mondin dhe ia kishte prezantuar i pandehuri Edmond.





Vrasja e Avdyl Bajramit





Në fillim, në spitalin civil të Vlorës është marrë peng vëllai tjetër i Avdyl Bajramit, Mithati, i cili është mbajtur peng deri në orën 01:00 të datës 10.05.1997. Më pas është lënë i lirë ai dhe është marrë peng Bejo Bajrami. Avdyl Bajrami, pasi ka mësuar për marrjen peng të vëllait, ka shkuar tek rrethi i “Skelës”, Vlorë për të liruar vëllanë e tij, por rezulton se Gaxhai me bashkëpunëtorët e tij morën peng Avdylin më datë 10.05.1997 dhe pasi e çuan tek vendi i quajtur “Kaminat e gëlqeres” në fshatin Kaninë, rreth 2 km larg qytetit të Vlorës, e vranë Avdyl Bajramin dhe e dogjën, pasi i kishin lidhur duar e këmbë me tela. Vrasja ka ndodhur pasi Pëllumbi kishte qenë anëtar i bandës së Zanit dhe Gaxhai dyshonte se dhe ai kishte marrë pjesë në vrasjen dhe djegien e Kuqos. Sipas deklarimeve të Mithatit, kur kishte shkuar tek rrethi i “Skelës”, i kishte parë personat që kishin marrë vëllain e tij, Bejon dhe u ishte afruar me makinë pranë klubit të Artur Shehut. Sa kishte shkuar atje, ata e kishin rrethuar Avdulin dhe pa i thënë asnjë fjalë e kishin goditur. Në atë kohë, Bejon e kishin lëshuar dhe këtë e kishin mbajtur, duke i thënë që neve ty të duam. “Vëllai im, Avduli, kishte qenë me një shok të tij që quhej Ardian Gjini, të cilin e kishin vrarë po atë ditë tek shtatë pallatet, kurse Avdulin e kishin vrarë në darkën e asaj dite dhe pastaj e kishin djegur... Di vetëm që ka qenë banda e Gaxhait”, - dëshmoi Mithat Bajrami.





Sulmi ndaj komisariatit të Vlorës nga banda e Gaxhait dhe vrasja e policit, Viron Rabaj





Sipas akuzës, në datën 11.05.1997, të pandehurit të organizuar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Vlorë për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin kanë vrarë oficerin e policisë, shtetasin Viron Rrapaj. Lidhur me këtë ngjarje, gjatë këtij hetimi gjyqësor, prokurori arriti të provojë se nga ana e policisë kishte të dhëna se bandat që vepronin në qytet do të sulmonin komisariatin e policisë, për të marrë prej aty mjetet e blinduara. Në fillim, rreth orës 11:00 të datës 11.05.1997, në komisariat kanë shkuar tre-katër persona të armatosur dhe kanë hyrë në fillim tek oficeri i rojës. Aty njëri prej tyre është prezantuar si Gaxhai dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e policisë dhe ka kërkuar të merrte blindat për t’u mbrojtur nga Zani. Pas disa minutash, para komisariatit të policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30-40 persona të armatosur, të cilët u futën në oborrin e komisariatit. Siç rezultoi dhe nga dëshmitë e dhëna para gjykatës, nga ana e punonjësve të policisë, të cilët ishin prezentë në ato momente, pjesëtarët e organizatës kriminale kontaktuan me oficerin e policisë, Haxhi Demirin, i cili u shpjegoi se nuk mund t’i merrnin mjetet e policisë. Pasi u sqaruan, personat e armatosur u tërhoqën prej komisariatit. Duke dalë nga oborri i komisariatit, Alfred Nebiu (Kakami) ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të komisariatit dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e vrarë. Përveç Alfredit, deklaruesi Ilirjan Beqiri, por dhe persona të tjerë që kanë qenë aty të pranishëm, kanë mundur të njohin nga anëtarët e bandës, të pandehurin Gazmir Braka (Gaxhain), Sokol Sinomatin dhe Armando Sulejmanin, i cili kur u zhvillua ngjarja ka pasur një debat me policin Andrea Kanani (vdekur) për t’i marrë antiplumbin. “... Unë kam dëgjuar që këtë vrasje e ka kryer banda e “Kakamit” dhe personat që kanë kryer vrasjen ishin Alfred Nebiu “Kakami”, Gazmend Braka “Gaxhai” dhe Ilir Kokosi. Di që ditën e vrasjes, burri im, Vironi, kishte shërbimin dhe po atë ditë kishin shkuar në komisariat për të marrë autoblinda dhe pasi kishin marrë përgjigje negative, ata (banda) kanë qëlluar Vironin, i cili ka qenë pak metra para tyre dhe po shkonte të hynte në komisariat”, - ka dëshmuar gruaja e policit të vrarë, Teuta Rabaj.





Vrasja e Dhimitraq Mishkës


Në datën 13.06.1997, në fshatin Armen, Vlorë, shtetasi Robert Boraku i ka dalë përpara automjetit ku po udhëtonin shtetasit Ligor Koreta, Dhame Koreta, Dhimitraq Mishka, Panajot Qirjo dhe Tako Mishka, të cilët janë plagosur. Ai ka hapur zjarr, duke tentuar të vriste këta persona. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur dhe vetë Robert Boraku. Lidhur me këtë konflikt, pas disa ditësh, në datë 19.06.1997, shtetasit Robert e Niko Boraku, të dy të vrarë, së bashku me të pandehurin Gazmend Brakaj kanë vrarë dhe më pas djegur shtetasin Dhimitraq Mishka, kufoma e të cilit u gjend në vendin e quajtur Shamogjin. Gjatë këtij hetimi gjyqësor, u arrit të provohej se po atë ditë banda e Gaxhait ka shkuar dhe e ka marrë viktimën në fshatin Mekat, tek klubi i vëllait të tij, Andrea Mishka. Më pas e kanë çuar në Cerkovinë në qendër të fshatit, ku dhe e kanë torturuar, më pas e kanë ekzekutuar në bazën eksperimentale në Shamogjin dhe më pas e kanë djegur kufomën. Lidhur me këtë krim janë pyetur disa persona, të cilët konfirmuan dhe para gjykatës konfliktin mes viktimës dhe anëtarëve të bandës së Gaxhait, si dhe deklarojnë se anëtarët e bandës kanë vrarë shtetasin e mësipërm.





Vrasja e Zini Harunit





Në datën 19.06.1997 në vendin e quajtur Shamogjin pranë një karburanti, anëtarët e bandës kanë rrëmbyer dy shtetasit Zini Haruni dhe Ardian Tase, të cilët ishin duke udhëtuar nga Fieri për në Vlorë. Ata i kanë marrë të dy me një furgon të bardhë dhe pasi kanë lëshuar Ardianin, kanë marrë Ziniun dhe e kanë çuar në Cerkovinë dhe më pas e kanë vrarë, konkretisht në datën 20.06.1997 tek punishtja e mermerit pranë këtij fshati.





Vrasja e Robert Myftarit





Në datën 08.08.1997, në vendin e quajtur “Skelë”, pranë lokalit “Miami” Vlorë, i pandehuri Sokol Sinomati ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Robert Myftari, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me gruan e tij, Amarilda Halili. Rreth orës 20:30, makinën me të cilën po udhëtonin viktima dhe bashkëshortja e tij, e ndaluan disa persona. Pasi e ndaluan, Amarilda dëgjoi që njëri prej personave të armatosur po thoshte që qenka Berti i Shaveres, ata të Çoles, lagje në Vlorë, ku kishte qendrën banda e Zanit. Në spital burri para se të vdiste i kishte thënë se “personi që qëlloi ishte Sokol Buzderri i bandës së Gaxhait”.





Të pandehurit dhe dënimet





Gazmir Brakaj (Gaxhai)


Armando Sulejmani (Çipuri)


Sokol Sinomati (Buzderri)


Edmond Leskaj (Mond fshatari)


Gazmend Nebiu





Akuzat





Akuzohen për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasit Bashkim Dule, “krijimit të bandës së armatosur”, “kryerjes së krimeve nga bandat e armatosura”, siç janë vrasjet me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Robert Myftari, “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta” të punonjësit të policisë Viron Rrapaj, “vjedhjes me dhunë” në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj, si dhe “armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga nenet 78-25, 333, 334, 78, 78, 78, 78, 78, 79/c, 139 e 278/2 i K. Penal. Për të pandehurin Gazmend Nebiu edhe akuza e “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim të shtetasit Ilir Mara. Kërkohet për të gjashtë të pandehurit dënimi me “burgim të përjetshëm”.