Humbjet nga kriza





Sistemi bankar shqiptar ka dalë me fitim, por disa banka e kanë mbyllur vitin me humbje, ndërsa në total institucionet bankare në vend kanë rezultuar me një kredi të keqe që shkon 675 milionë dollarë



Bankat në vend megjithëse e kanë përmirësuar disi situatën e tyre financiare në tremujorin e fundit të vitit 2009, kanë rezultuar me një portofol të kredive të këqija që shkon në 472 milionë dollarë amerikanë. Muajt e fundit të vitit 2009 tregojnë për një stacionim të kredisë së keqe, tashmë në disa vlera që nuk janë pa pasoja, por që mbeten ende larg rrezikut të besueshmërisë së bankave. Sistemi bankar shqiptar për vetë kushtet dhe mungesën e kanaleve të shpejta të komunikimit, nuk mori një goditje direkte të amplifikuar, siç ndodhi me shumë vende të tjera të Europës. Por fitimet e sistemit bankar shqiptar në vitin 2009 rezultojnë 2 herë më të ulëta se në vitin 2008. Referuar të dhënave që jepen nga ana e Shoqatës së Bankave, periudha janar-dhjetor e vitit 2008 ka qenë shumë herë më e frytshme për sistemin bankar shqiptar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Në vitin 2008 sistemi bankar shqiptar ka pasur një fitim prej 11.8 miliardë lekësh ose 118 milionë dollarë, ndërsa në vitin 2009 fitimi i bankave është përgjysmuar, duke qenë vetëm 5.8 miliardë lekë, ose 58 milionë dollarë.



***


Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për muajin dhjetor të vitit 2009, huaja e keqe ka mbërritur në 10.5 për qind të portofolit total të bankave të nivelit të dytë. Por, pavarësisht se këto hua nuk mund të quhen të humbura, pasi ato janë të mbuluara me provigjone, rritja me ritme të shpejta e kredive toksike rrit riskun e sistemit bankar. Referuar raportit statistikor të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2007 treguesi i kredive të këqija ishte 3.31 për qind e portofolit, ose në vlerë absolute, 97.2 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 97 milionë dollarë (me kursin aktual të këmbimit). Për sa i përket treguesit në përqindje, vihet re se kemi pothuaj një trefishim të kredisë së keqe në harkun kohor të një viti. Ndërsa në vlerë absolute, kredia e keqe është rritur më shumë. Rritja e kredisë së keqe në vlerë absolute në harkun kohor të një viti në sistemin bankar shqiptar është më shumë se 500 për qind. Kështu, sipas të dhënave të shoqatës së bankave, rezulton se kredia e keqe në fund të vitit 2009 ka mbërritur në 472 milionë dollarë amerikanë.



***


Përkeqësimi i portofolit të kredisë në sistemin bankar shqiptar është një fenomen i pritshëm, i influencuar edhe nga situata financiare globale që ka dhënë efektet e saj të dukshme në sistemin bankar dhe në ekonominë shqiptare. Por rritja në nivele të përshpejtuara e kredive të këqija në sistemin bankar mbetet një problem i madh për ekonominë. Niveli prej 10.5 për qindësh i kredive të pakthyera në sistem nuk është larg shifrave rekord të kredive toksike që kanë bankat në vendet e zhvilluara, por edhe në rajon. Sipas të dhënave të fundit në rajon, ky tregues ka kaluar 10 për qind, duke kërcënuar realisht bankat e nivelit të dytë që operojnë në këtë zonë të nxehtë. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë kanë ulur ndjeshëm kreditë e dhëna gjatë pjesës së parë të këtij viti. Një masë e tillë pritet që të rëndojë edhe më shumë bilancet e tyre nga përqindja e kredive të këqija, pasi portofoli total i kredive gjatë vitit 2009 pritet që të rritet në skenarin më të mirë me 15 për qind. Kjo ka qenë edhe arsyeja që guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar me ngulm që të ketë një shpejtim të kredive të dhëna, pasi tashmë po rrezikohet që ekonomia në tërësi të futet në një rreth vicioz. Nga ana tjetër, problemet e mëdha që lidhen me kreditimin dhe uljen drastike të tij po pengojnë edhe pjesët e tjera të ekonomisë që të zhvillohen, duke dobësuar ndjeshëm edhe pozicionin financiar të vendit.




Fitimet përgjysmohen


Por fitimet e sistemit bankar shqiptar në vitin 2009 rezultojnë dy herë më të ulëta se në vitin 2008. Referuar të dhënave që jepen nga ana e Shoqatës së Bankave, periudha janar-dhjetor e vitit 2008 ka qenë shumë herë më e frytshme për sistemin bankar shqiptar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Në periudhën 12-mujore të vitit 2008, bankat në Shqipëri ka fituar 118 milionë dollarë, ndërsa në të njëjtën periudhë në vitin 2009 fitimi është vetëm 58 milionë dollarë. Sistemi bankar shqiptar vazhdon që të ketë zhvillime pozitive për sa i përket parasë elektronike. Viti 2009 është mbyllur më një numër kartash që shkon në rreth 567 mijë për sa u përket atyre të debitit, dhe 23 844 mijë të kreditit.


***


Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë kanë ulur ndjeshëm kreditë e dhëna gjatë pjesës së parë të këtij viti. Një masë e tillë pritet që të rëndojë edhe më shumë bilancet e tyre nga përqindja e kredive të këqija, pasi portofoli total i kredive gjatë vitit 2009 pritet që të rritet në skenarin më të mirë me 15 për qind. Kjo ka qenë edhe arsyeja që guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar me ngulm që të ketë një shpejtim të kredive të dhëna, pasi tashmë po rrezikohet që ekonomia në tërësi të futet në një rreth vicioz. Nga ana tjetër, problemet e mëdha që lidhen me kreditimin dhe uljen drastike të tij po pengojnë edhe pjesët e tjera të ekonomisë që të zhvillohen, duke dobësuar ndjeshëm edhe pozicionin financiar të vendit. Rënia e kredisë gjatë tremujorit të fundit të viti 2009 është bërë e ditur edhe nga ana e guvernatori Fullani. “Kredia për sektorin privat u rrit në terma nominalë me 11 për qind kundrejt një viti më parë. Në terma realë kjo rritje ishte vetëm 4 për qind. Zgjerimi i kredisë ka ardhur kryesisht në formën e financimit të likuiditetit të bizneseve, ndërkohë që kredia për individë ka vijuar të tkurret në terma vjetorë. Me gjithë përmirësimin e aktivitetit kreditues gjatë muajit dhjetor, ritmi vjetor i rritjes së tij mbetet i ulët në terma historikë. Ecuria e ngadaltë e kredisë kushtëzohet nga një ambient me prime të larta rreziku, i materializuar në kushte të shtrënguara kreditimi dhe nga pasiguria e agjentëve ekonomikë për të ardhmen, e materializuar në kërkesë të ulët për kredi të sektorit privat. Kursi i këmbimit ka vijuar të nënçmohet edhe gjatë muajit janar, por me një ritëm më të vogël se në muajin e mëparshëm. Në terma nominalë efektivë vjetorë, nënçmimi i shënuar në janar ishte rreth 8 për qind. Zhvillimet mujore tregojnë për një nënçmim më të lehtë të lekut kundrejt monedhës europiane dhe dollarit amerikan. Banka e Shqipërisë gjykon se balanca e faktorëve që ndikojnë mbi kursin e këmbimit paraqitet më e stabilizuar për vitin 2010”, tha Fullani.