Banorët e fshatit Mengël në Bashkinë e Elbasanit prej tre ditësh nuk i çojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ata kërkojnë hapjen e shkollës së fshatit, e cila është mbyllur një vit më parë për arsye sigurie pasi u dëmtua nga tërmeti i majit të vitit 2017.


Protestës së banorëve ju bashkua edhe deputeti i PD, Luçiano Boçi i cili kërkoi nga Bashkia e Elbasanit dhe Ministria e Arsimit hapjen e shkollës për të garantuar mbarëvatjen e procesit mësimor për 210 nxënës të saj.

Bashkia e Elbasanit në reagimin e saj bën me dije se shkolla është mbyllur për arsye sigurie, për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve ndërkohë që projekti i rikonstruksionit të plotë është dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit në pritje të fondeve.


Bashkia e Elbasanit u bën thirrje prindërve të mos pengojnë fëmijët të shkojnë në shkollë, transporti i tyre është i garantuar dhe falas, ndërsa rikonstruksioni është vetëm çështje kohe.


20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)