Deputeti Besnik Baraj, u shpreh sot se e motra e deputetes Vokshi, drejtoreshë në Ministrinë e Ekonomisë, i jep koncesione kunatit të saj.

“Mimoza Vokshi drejtoreshë sugjeron, Albana Vokshi këshillon dhe Berisha në karrigen e kryeministrit firmos për burrin e motrës së vogël Vokshi, pra për bashkëshortin e Albanës. Kjo është skema për të përfituar 4 miliard dollarë pasuri të shqiptarëve. Berisha sot bën mirë të mos heshtë por të flasë, firmën e ka vënë ai për këto 4 mld dollarë pasuri publike”, tha deputeti Baraj.

Ai kërkoi që kryeministri Berisha të japë shpjegime për këtë situatë, duke theksuar se bashkëautorësia korruptive në rastin Vokshi është e pastër dhe e publikuar. “Shteti i motrave ka detyrimin ligjor të përgjigjet! Nëse sot organet e drejtësisë janë të sunduar dhe të gjunjëzuar nga shteti i motrave e nuk hetojnë e japin llogari për çështjet Vokshi e Prifti, nesër qytetarët shqiptarë të jenë të bindur se çdo koncension e privatizim korruptiv do të zhbëhet”, vijoi ai.