Gola, emocione pa fund, përmbysje rezultatesh dhe shumë spektakël në ditën e fundit të kualifikueseve të Euro 2020 për muajin mars. Në grupin J, Italia e Mancinit mori fitoren e dytë këtë herë me shifra tenistike pasi në Parma mposhti me rezultatin e thellë 6-0 Lihtenshtejnin.


Quaglierella i cili realizoi dy herë me penallti u bë futbollisti më i vjetër në moshë që shënon me përfaqësuesen e kaltër, plot 36 vjeç e 2 muaj,  ndërkohë që Moise Kean i cili realizoi golin e 5-të, theu një tjetër rekord pasi u bë futbollisti më i ri italian në moshë që realizon në dy ndeshje radhazi.


Në supersfidën e këtij grupi, Bosnja Hercegovina nuk ruajti dot avantazhin e dy golave ndaj Greqisë duke barazuar 2-2, ndërkohë që mesfushori i Juves, Miralem Pjanic u bë ëngjëll dhe djall në këtë sfidë pasi realizoi një supergol dhe u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 65-të.


Më herët në orën 18:00 Finlanda fitoi 0-2 në Armeni me golat e Jensen dhe Soiri duke marrë tre pikët e para në grup. Fitore e lehtë për Spanjën që kryeson e vetme grupin F, pas suksesit 0-2 në Maltë me një dygolësh të Alvaro Moratës. Spektakël në derbin nordik mes Norvegjisë dhe Suedisë.


Norvegjezët edhe pse kryesonin 2-0, morën një pikë vetëm falë një goli të Kamara në minutën e 97-të, pasi Suedia në mënyrë befasuese arriti të përmbyste shifrat. Mori fitoren e parë edhe Rumania që kaloi në shtëpi 4-1 Ishujt Faroe falë një dygolëshi të Keseru. Barazim i çmendur në supersfidën e grupit D mes Zvicrës dhe Danimarkës.


Edhe pse helvetët kryesonin 3-0 në një ndeshje ku Albian Ajeti asistoi në golin e parë ndërsa Granit Xhaka me shiritin e kapitenin në krah shënoi me një goditje perfekte nga distanca golin e dytë, danezët morën një pikë pasi shënuan tre herë në harkun e 8 minutave nga e 84-ta në të 92-ën, duke i hequr një fitore të sigurtë nga duart Zvicrën. Nga barazimi i skuadrës së Petkovic përfitoi Irlanda që mposhti 1-0 Gjeorgjinë duke u ngjitur në krye të grupit.