Shqipëria e ka nisur me një rezultat pozitiv fushatën kualifikuese për botërorin e vitit 2010, duke barazuar pa gola kundër Suedisë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Ari Han debuton suksesshëm në ndeshjet zyrtare me kuqezinjtë dhe tashmë ka frymëmarrje më të lirë për të përgatitur ndeshjen e së mërkurës, kundër Maltës. Trajneri holandez ndërtoi një lojë të kujdesshme, por pa shenja frike, kundër skandinavëve të fuqishëm, duke neutralizuar sulmin e tyre të rrezikshëm. Iniciativa ishte e Shqipërisë që në fillimin e lojës dhe kuqezinjtë panë vazhdimisht në drejtim të portës kundërshtare, ndonëse nuk arritën të krijonin raste. Suedezët më tepër shfrytëzuan klasin individual të yllit të tyre, Zlatan Ibrahimoviç, i cili tronditi shtyllën me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zonës. Shqipëria ishte me fat në atë moment, por nuk mund të thuhet kjo për pjesën tjetër të lojës, kur kuqezinjtë u paraqitën si të barabartë dhe në shumë raste superiorë kundër një skuadre që është finaliste e përhershme e botërorëve dhe evropianëve. Hamdi Salihi pati një mundësi të mirë të shënonte, kur iu vodh bukur mbrojtjes por nuk u tregua i shpejtë sa duhej për të devijuar në rrjetë një pasim vertikal të Ervin Skelës. Kuqezinjtë u dukën të kënaqur me përfundimin e pjesës së parë të barabartë, duke krijuar ndoshta përshtypjen se do të përpiqeshin të mbronin rezultatin edhe në 45 minutat e dyta. Në fakt, ishte vetëm një përshtypje e rremë, sepse në pjesën e dytë Shqipëria u duk më e vendosur për të fituar, duke ngulmuar në drejtim të portës kundërshtare. Suedia pati një rast ideal, me Olof Melberg, i lirë përballë portës, por lojtari i Juventusit gjuajti jashtë. Megjithatë, pësimi i golit do të kishte qenë i padrejtë për Shqipërinë, tepër aktive me aksionet e Hykës në krahun e majtë dhe krosimet për Salihin e Berishën. Në qendër, Skela vazhdoi paraqitjet solide, ashtu si dhe Lorik Cana e Altin Lala, të zotë të mbyllnin shtigjet e mesfushës suedeze, duke mos e lejuar të organizonte lojën. Kundërshtarët nga ana e tyre i patën disa raste, por që erdhën më tepër si pasojë e episodeve se sa e aksioneve me lojë skuadre. Përfundimisht, një barazim që ishte rezultati më i drejtë për zhvillimin e lojës, por që i volitet më tepër Shqipërisë, ndërsa Suedia, në letër skuadra e dytë më e fortë e grupit pas Portugalisë, u duk qartë që nuk e mirëpriti rezultatin, duke i ndërlikuar që në fillim synimet për kualifikim në botëror.


Shqipëri – Suedi 0 - 0

Shqipëri (4-4-1-1): Beqaj, Beqiri, Vangjeli, Dallku, Cana, Curri, Duro, Hyka, Lala, Skela (83’ Teli), Salihi (75’ Berisha).
Trajner: Ari Han
Suedi: Isaksson, Nilsson, Mellberg, Majstoroviç, Hansson, Linderoth (6’ S. Larsson), Wendt (77’ Stoor), Andersson, Kallstrom (83’ Hozmen), Ibrahimoviç, H. Larsson.
Trajner: Lars Lagerback
Gjyqtarët: Alberto Undiano Mallenco (SPA), Fermin Martinez Ibanez (SPA), Juan Carlos Yuste Jimenez (SPA).
Gjyqtari i katërt: Antonio Rubinos Perez (SPA)
Spektatorë: 13 500


Han: Jam i kënaqur me rezultatin
Ari Han e nisi aventurën e tij me Shqipërinë me një sukses të jashtëzakonshëm, përballë një prej 16 skuadrave më të mira të Evropës, Suedisë. 0-0, kur kemi rrezikuar jo pak, teksa me pak kujdes mund të kishim marrë edhe me shumë. Trajneri holandez: “Ndeshjet e para janë të vështira, Suedia të jep pak shanse në mbrojtje. Megjithëse Suedia ndryshoi skemën përsëri nuk arriti të na imponohet. Taktikisht luajtëm shumë mirë. Skuadra luajti futboll. Pati pasime të dendura. Jam i kënaqur me rezultatin. Skuadra luftoi e punoi shumë. Në Maltë s’do jetë e thjeshtë”.


Lagerbak:Doja vetëm fitoren
Një ditë përpara ndeshjes trajneri i Suedisë, Lars Lagerbak kishte deklaruar se do të ishte i kënaqur edhe me një pikë. Mirëpo, dje pas ndeshjes trajneri mohoi të kishte thënë diçka të tillë. “Mendoj se nuk e kam thënë një gjë të tillë. Nuk më kënaq barazimi, pasi ekipi im luajti mirë dhe duhet të kishte fituar ndeshjen. Patëm raste të cilat nuk i shfrytëzuam, por nga ana tjetër edhe Shqipëria ka lojtarë shumë teknikë. Gjithsesi, ne duhet të kishim fituar, pasi me këtë synim kishim ardhur këtu”, u – shpreh në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Lars Lagerbak.