Nuk ka ndërmend të qetësohet lufta mes Barcelonës dhe Milanit. Barazimi 0-0 në “San Siro”, në një fushë aspak të mirë, solli denoncimin katalanas në UEFA, kundërpërgjigjen e kuqezinjve, ndërsa trajneri Pep Guardiola ka gjetur rastin të bëjë ironi ndërsa skuadra e tij u stërvit të enjten në kompleksin e Interit, në Milano.

“Kjo fushë stërvitore është shumë më e mirë sesa ajo e stadiumit “San Siro”, - i thotë Pep drejtuesit interist, Branka, - më mirë të kishim luajtur këtu”. Ndërkaq, për të vazhduar ironinë, në fushën e stërvitjes u vu në punë impianti i ujitjes, ai që shkaktoi aq shumë polemika në “San Siro”.


Barça thekson se në kongresin e fundit të UEFA-s u miratua një akord për të ujitur fushat në Champions League përpara ndeshjeve, pikërisht për të shpejtuar lojën.


Media italiane shkruan se ky akord mes klubeve dhe UEFA-s ende nuk është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj të fundit. Gjithsesi, kjo histori besohet se do të ketë kapak vetëm pas ndeshjes së dytë të çerekfinaleve të Championsit në “Kamp Nou”. Ose do të ndizet edhe më shumë pas saj.