Nëse në Champions u eliminua në fazën e çerekfinaleve, në Spanjë Barcelona ka vendosur diktatin, teksa sonte ngriti lart edhe Kupën e Mbretit. Në Wanda Metropolitana, skuadra e Valverdes mposhti Sevillan në finale, me rezultatin e thellë 5-0, duke mos e diskutuar për asnjë moment ndeshjen.


Që në minutën e 14, Suarez mori një top nga Coutinho dhe kaloi në avantazh katalanët, ndërsa në minutën e 30 ishte radha e Messit, që të shënonte golin e dytë.


Goditja e vërtetë për andaluzianët e Montellas erdhi në minutën e 40, kur Messi asistoi për Suarez dhe sulmuesi uruguaian shënoi golin e 3-të. Pjesa e dytë ishte vetëm një formalitet, teksa fillimisht Iniesta dhe më pas Coutinho nga pika e penalltisë, shënuan emrin në listën e golshënuesve.


Pas vërshëllimës së 3-fishtë, Barcelona ngriti lart Kupën e Mbretit, ndërsa në fundjavë mund të mbyllë matematikisht edhe llogaritë me titullin kampion, të cilin praktikisht e ka fituar tashmë.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)