Të pakënaqur me vendimin për faljen e dënimit të Jose Mourinhos, grupi i tifozëve të Barcelonës “Fanatics Barca” ka kërkuar nga klubi që në ndeshjet e Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit të luajë skuadra B, e cila garon në Segunda Division.

“Real Madridi nuk e meriton nderin të luajë kundër ekipit të parë të Barcelonës”, thuhet në komunikatën e tyre. Ata janë të hidhëruar me vendimin e Federatës Spanjolle të Futbollit që anuloi dënimin e Mourinhos prej dy ndeshjeve mosushtrim detyrë në takimet e Superkupës së Spanjës, pas incidentit të shkaktuar në duelin e skuadrave në të njëjtën garë të edicionit të kaluar.

Tito Vilanova aso kohe ishte asistent i Pep Guardiolës, kurse Mourinho pas një tollovie në fushë i ishte afruar atij duke ia futur gishtin në sy dhe u kthye sikur nuk ndodhi asgjë.

Ndeshja e parë e Superkupës së sivjetme – që shënon edhe fillimin e sezonit të ri mes fituesit të La Ligas, Real Madridit dhe kampionit të Copa del Rey, Barcelonës – zhvillohet në Nou Camp më 23 gusht, kurse ajo e kthimit një javë më vonë në Santiago Bernabeu.