I përzgjedhuri i Barcelonës është Gerardo Martino.

Trajneri argjentinas është shumë pranë uljes në pankinën e skuadrës spanjolle, e cila është bosh pas dorëheqjes së Tito Vijanovës.

Drejtuesit e Barçës kanë udhëtuar drejt Buenos Aires për të mbyllur tratativat me ish-teknikun e kombëtares së Paraguajit.

Ky i fundit vështirë se mund të refuzojë ofertën e një prej skuadrave më të mëdha të botës.

Emri i Gerardo Martino ishte një suprizë për të gjithë. Gjithsesi, kuotat e trajnerit argjentinas si kandidat kryesor për të marrë drejtimin e Barcelonës u rritën pas refuzimit të gjermanit Jup Hainkes.

Sipas mediave spanjolle, Martino njihet për lojën e bukur që zhvillojnë skuadrat e tij, çka u pa edhe kur drejtoi Paraguain në Botërorin 2010.

Më pas ai i shtoi CV-së së tij një titull kampion në Argjentinë me Njuell’s Old Bojsit.

Po ashtu Gerardo Martino ka edhe mbështetjen e Lionel Mesit, me të cilin njihet prej kohësh.

Të gjitha këto e bëjnë atë trajnerin e ardhshëm të Barcelonës, megjithëse zyrtarizimi do të kërkojë edhe pak ditë.