TIRANE - Partia Socialiste vijoi edhe sot fushatën denoncuese “100 arsye për të mos votuar Berishën”. Nga selia e PS-së, deputeti Besnik Bare akuzoi kryeministrin Berisha për atë që e cilësoi si degradim të sektorëve thelbësorë që lidhen me zhvillimin e turizmit në vend. Sipas Bares, “Shqipëria sot, nuk ka ende një strategjie reale kombëtare të përfshirjes së mjedisit si komponent themelor për zhvillimin e turizmit”.

“Në 2005, Sali Berisha premtoi zhvillim të qëndrueshëm. Sot Shqipëria është vendi unikal në Europë ku mungon zhvillimi i qëndrueshëm, ku burimet natyrore si toka, pyjet, shtretërit e lumenjve, bregdeti, peisazhi kanë pësuar degradimin më të madh. Në 2005 u premtua, se në fundin e mandatit të parë, pra në 2009 do trajtoheshin të gjithë ujërat e zeza në zonën bregdetare. Sot pas 8 vitesh, në të gjithë zonën bregdetare, vetëm në një qytet kemi impiant të lidhur me kanalizimet urbane, që të mund të bëjë trajtim të ujërave të zeza nga pikëpamja kimike dhe biokimike. Kjo gjendje rrezikon jo vetëm zhvillimin e turizmit, por edhe shëndetin e banorëve dhe vizitorëve të këtyre zonave. Sa u takon landfilleve, sot ka vetëm një të tillë në Bushat dhe ai është jo funksionues”,- deklaroi Bare.

Sipas deputetit socialist, “ky sezon turistik e gjen territorin dhe peisazhin shqiptar të mbuluar nga plehrat, pasi Qeveria nuk ka bërë asgjë për të pastruar hedhurinat e pafund që mbushin rrugët, lumenjtë dhe bregdetin tonë“.

“Sali Berisha premtoi ndalimin e shfrytëzimit pa kriter të inerteve. Sot jo larg nga Tirana, lumenjtë ndodhen në gjendje dramatike dhe shfrytëzimi vazhdon. Është thelluar dëmtimi i zonave të “mbrojtura,” pyjeve, mbulesës bimore dhe bio-diversitetit. Ambienti nga një trashëgimi e përbashkët natyrore për t'u mbrojtur, është kthyer në një mall të tregtuar në pazaret e pushtetit. Eksporti i druve të zjarrit e qymyrit të drurit lulëzon. Si pasojë e prerjeve të pyjeve ne kemi erozionin më të lartë në Europë dhe ndodhin përmbytje dramatike për nivel të ulët të reshjeve“,- theksoi Bare.

Më tej deputeti socialist tha se objektivi i PS-së është krijimi i Inspektoratit Kombëtar të Pastrimit, që sipas tij, do të mundësojë një Shqipëri pa plehra, brenda mandatit të parë qeverisës.

“Pas 23 qershorit ne do të fillojmë një aksion të pandalshëm për të pastruar nga mbetjet territorin e Shqipërisë. Ne do të mundësojmë rehabilitim rrënjësor, të pyjeve, të shtretërve të lumenve, të pasurive ujore, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm, të integruar dhe të përgjegjshëm të mjedisit. Do të ndalojmë derdhjen e ujërave të zeza në dete, liqene dhe lumenj, për të gjitha qendrat e mëdha urbane të vendit”,- përfundoi ai. 

(er.nu/BalkanWeb)