Kombëtarja shqiptare e futbollit nisi sot përgatitjet për takimet e dyfishta me Luksemburgun, i pari i programuar, më 2 qershor në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" (ora 20:30, drejtojnë gjyqtarë gjeorgjianë) dhe, i dyti katër ditë më pas, më 6 qershor në Luksemburg, në stadiumin "Josy Barthel", në orën 20:15, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2008. Këto janë dhe dy takimet e para historike midis dy vendeve dhe në të dyja Shqipëria synon fitoren.
Shqipëria, me një formacion me pesë mungesa titullarësh, humbi 3-1 përballë Anglisë në testin miqësor të zhvilluar në "Turf Moor" (më 25 maj), por përshtypja që la formacioni kuqezi, sidomos për pjesën e parë të zhvilluar dhe, loja e shkëlqyer e sulmuesit Besart Berisha dhe paraqitja mbresëlënëse e dy mbrojtësve të rinj, Blerim Rrustemaj e Kristi Vangjeli, rikthyen entuziazmin e trajnerit të Kombëtares, kroatit Oto Baric, i cili shprehet se më në fund ka grupin më të mirë të lojtarëve. Në vijën sulmuese rikthehet Hamdi Salihi, i cili shkëlqeu javët e fundit me nënkampionen e Austrisë, SV Ried, për të cilën shënoi gjashtë gola. Dje u bashkua me grupin Lorik Cana, i cili do të jetë dhe kapiteni i Shqipërisë në mungesë të Altin Lalës. "Ukrainasit", mesfushori Debatik Curri dhe mbrojtësi Armend Dallku, që të dy të Vorskla Poltavës mbërritën dje në botel "Adriatik", rezidenca e Kombëtares.
Në "listën e madhe" me 20 lojtarë bëjnë pjesë edhe veteranët Alban Bushi, Edvin Murati dhe Erion Bogdani. Përvec mungesave të konfirmuara për shkak dëmtimesh: Altin Lala (Hanover 96, Gjermani) dhe Elvin Beqiri (Metalurg Dontesk, Ukrainë) mund të ketë edhe atë të Erjon Bogdanit, që u dëmtua të dielën gjatë ndeshjes Katania-Kievo. Në rikuperim e sipër është Edmond Kapllani.
Mbrojtësi Andi Lila (i paaktvizuar në Angli për shkak të problemeve që ai pati) dhe mesfushori fantazisti Jahmir Hyka, janë vënë në dispozicion të ekipit Shpresa për ndeshjen me Italinë (1 qershor, në Potendera të Italisë).
Në ditën e parë të grumbullimit (një pjesë e lojtarëve mbërriti vetëm pak orë përpara stërvitjes) u krye vetëm një seancë e lehtë përgatitore, duke filluar nga ora 17:00.
Shqipëria në pesë ndeshjet zyrtare për eliminatoret e Euro 2008, finalet e të cilave do të zhvillohen në Austri dhe Zvicër, ka grumbulluar tri pikë. Kuqezinjtë barazuan 2-2 me Bjellorusinë në Minsk, 0-0 me Slloveninë në Shkodër dhe, po 0-0 me Bullgarinë në Sofje. Dy humbjet e pësuara janë me Rumaninë (0-2) në Tiranë dhe me Holandën (2-1) në Amsterdam. Ndeshjet me Luksemburgun vlerësohen si mundësi e shkëlqyer për të marrë dy fitore, përpara se Shqipëria të përballet me Holandën në Tiranë në përballjen e dytë me "tulipanët" e Marko Van Basten.


LISTA E KOMBËTARES
Portierë: Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta, Qipro), Isli Hidi (Tirana, Shqipëri).
Mbrojtës: Armend Dallku (Volskla Poltava, Ukrainë), Blerim Rrustemaj (Borusia Mënshengladbah II, Gjermani), Nevil Dede (Tirana, Shqipëri), Kristi Vangjeli (Aris, Greqi), Debatik Curri (Volskla Poltava, Ukrainë), Altin Haxhi (Ergotelis, Greqi), Endri Vrapi (Teuta, Shqipëri).
Mesfushorë: Ervin Skela (Energi Kotbus, Gjermani), Lorik Cana (Olimpik i Marsejës, Francë), Klodian Duro (Tirana, Shqipëri), Devis Mukaj (Tirana, Shqipëri), Ervin Bulku (Tirana, Shqipëri), Edvin Murati (Panserraikos, Greqi), Julian Ahmataj (Dinamo, Shqipëri).
Sulmues: Erjon Bogdani (Kievo, Itali), Edmond Kapllani (Karlsruhe, Gjermani), Alban Bushi (Apollon Kallamarja, Greqi), Besart Berisha (Hamburg, Gjermani), Hamdi Salihi (SV Ried, Austri), Daniel Xhafaj (Teuta, Shqipëri).