Parlamenti Europian ka rizgjedhur presidentin e Komisionit të BE-së, Hose Manuel Barroso, për një periudhë të dytë pesëvjeçare në detyrë. Në seancën parlamentare në Strazburg, 382 deputetë votuan për politikanin kristiandemokrat portugez. Për të votuan kristiandemokratët, konservatorët dhe liberalët. Pati 219 vota kundër kryesisht nga të gjelbrit dhe të majtët. 117 deputetë abstenuan. Me këtë rezultat Barroso arriti më shumë se shumicën e thjeshtë të nevojshme, madje kaloi edhe kufirin për shumicën absolute, për të cilën nevojiten 369 vota. Barroso u përpoq të fitonte miratim sa më të gjerë në Parlament. Por çfarë është në fakt një një President i Komisionit të BE-së? Ai drejton një aparat me mbi 20 mijë punonjës, që i ngjan një aparati qeveritar me departamentet e caktuara. Por, Komisioni i BE-së është një institucion unik në botë, kështu edhe shefi i tij. Komisioni ushtron aktivitetin e tij në bazë të Marrëveshjes së Amsterdamit nën “drejtimin politik të presidentit të tij”. Pra Presidenti është kryetari i Komisionit. Ndër detyrat e tij janë: organizimi i mbledhjeve të Komisionit dhe përfaqësimi jashtë i Komisionit. Presidenti i Komisionit merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Europian dhe në debatet më të rëndësishme të Parlamentit Europian. Përveç kësaj, ai emëron në marrëveshje me Kryetarët e qeverive të vendeve anëtare, 27 komisarët e Komisionit. Sipas Marrëveshjes së Nicës, Presidenti mund t`u ndryshojë kompetencat e tyre ose të kërkojë dorëheqjen gjatë kohës që ata qëndrojnë në detyrë.







17 Shtator 2009