Josep Maria Bartomeu duhet të ndihet me fat që është në krye të një klubi gjigant si Barcelona në epokën e Messit. Detyra më e rëndësishme e tij është pa dyshim të mbajë përjetësisht të lidhur me ngjyrat blaugrana lojtarin ndoshta më të mirë të të gjitha kohërave. Në një intervistë për ESPN, numri 1 i klubit katalan deklaroi shpreson dhe po punon që Messi të ketë një karrierë sa më të gjatë te Barça, që të apasionuarit e futbollit të vazhdojnë të magjepsen nga magjitë e tij.


Ne duam që të ketë një karrierë vërtet të gjatë, në mënyrë që të vazhdojmë ta shijojmë magjinë e tij. Leo ka thyer kufijtë, të gjithë e admirojnë, duartrokitet edhe nga tifozët rivalë. Dëshirojmë të rinovojmë me të, kjo është ideja. Messi është i ri, këtë mund ta shihni në paraqitjet që bën në fushë. Ka ende edhe dy vite në marrëveshjen e tanishme, por po shkojmë drejt rinovimit. Në muajt e ardhshëm do të ulemi e të diskutojmë, në mënyrë që të luajë edhe shumë vite të tjera në Barcelonë, tha ai.


Messi, sipas Bartomeut, është i pazëvendësueshëm jo vetëm për atë që jep në fushën e blertë. Ai identifikohet me klubin e Barcelonës.


Messi është vetë klubi, është më shumë se ajo që bën në fushë. Marrëdhëniet e tij me Barçën do të zgjasin përgjithmonë, ai e ndryshoi krejtësisht qasjen e Barcelonës në aspektin e rezultateve. Me të kemi fituar garat më të mira, vijojmë ta bëjmë këtë çdo sezon, u shpreh Bartomeut.


Por edhe mrekullitë nuk zgjasin përgjithmonë. Bartomeu theksoi se te Barça duhet të jenë të përgatitur edhe për tërheqjen e Messit.


Messi e njeh mirë trupin e tij dhe e vendos vetë ditën kur duhet të largohet. Le të jemi të përgatitur për të ardhmen, por Leo Messi është udhëheqësi ynë, është lojtari më i mirë në botën e futbollit. Po luan në mënyrë fantastike, por e dimë se nuk do të jetë përgjithmonë në fushë. Ndoshta për tri, katër, ose pesë vite, ai do të thotë: OK, po ndalem së luajturi futboll, theksoi ai.