basha ne cerrikSubvencionime edhe për industritë që hapin vende pune për të rinjtë

TIRANË, 17 Prill/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Në programin qeverisës Partia Demokratike ka përcaktuar bujqësinë si prioritet dhe një ndër levat kryesore për të nxjerrë vendin nga kriza. Për këtë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u tha fermerëve të Xarrës dhe Konispolit se 150 milionë euro nga buxheti do të shkojnë për bujqësinë. 100 milionë prej të cilave do të shkojnë për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët.

"Leva për ta nxjerrë ekonominë shqiptare nga kriza për ne është bujqësia. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur dhe pse nesër në qeverisje 150 milionë euro në vit do t'i shpenzojmë për bujqësinë, në dy kolona. Kolona e parë infrastrukturë bujqësore. Kolona e dytë subvencione të drejtpërdrejta për fermerin. 50 milion euro në vit do të dedikohen për të përfunduar infrastrukturën ndihmëse bujqësore dhe 100 milionë euro të tjera do të rezervohen vetëm për subvencionim të drejtpërdrejtë fermerit. Siç jepet pensioni, siç jepet ndihma ekonomike, kështu do të jepet edhe subvencioni për fermerin", tha Basha.

"Hapi i parë do të jetë ulja e taksave. Me paratë e tjera të taksave do të hapim punë publike, po punë publike tamam dhe jo gënjeshtra, jo mashtrime. Ujësjellës, kanalizime, rrugë, shkolla, spitale, vaditje, subvencione për fermerët, subvencione për peshkimin, subvencione për industri që hapin vende pune për të rinjtë", vijoi Kryetari i Partisë Demokratike.

Ai tha se situata është po kaq e keqe në Delvinë. "Kjo sprovë trevjeçare le të shërbejë që të mblidhemi e të bashkohemi të gjithë njësoj si para 25-vitesh. Kjo është një ftesë e hapur edhe për ata të tjerët që ndoshta nuk kanë votuar më parë për Partinë Demokratike por që duhet të shohin sot propozimin dhe vizionin e PD-së për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe për t'u dhënë shqiptarëve punë", përfundoi Basha./m.m/