Raporti i votave në Tiranë ndahet në mënyrë të barabartë midis kandidatëve, edhe nëse bëhen krahasimet me votat për Këshillin Bashkiak.Sipas rezultateve të KQZ-së, Basha e Rama ndahen me një diferencë prej 81 votash, ndërsa të dy kanë marrë pothuaj 7 mijë vota më shumë se koalicioni që i mbështeste të Tiranë. Votat jashtë koalicionit i përkasin vetëm Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Partisë Komuniste, e cila kishte kandidatin e vet në garë. LZHK ka marrë 3675 vota, ndërsa PKSH 447 vota. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se në Tiranë ka pasur rreth 18 480 vota të pavlefshme, nga të cilat 12 200 vota u përkasin votave për Këshillin Bashkiak. Në total llogariten rreth 6 për qind e votave të pavlefshme për Këshillin Bashkiak, ndërsa në votat e kandidatëve kjo shifër është dy herë më e vogël me 6300 vota, ose rreth 3 për qind.

Diferencat

Kandidati demokrat, Lulzim Basha, ka marrë vota më shumë se partia kryesore që e mbështeste, Partia Demokratike. PD ka marrë 74 530 vota në Tiranë, ose në këtë rast, Basha ka marrë 50 256 vota më shumë. Nga ana tjetër, PS ka marrë 100 783 vota në Tiranë dhe Rama ka marrë 23 923 vota më shumë. Në këto shifra, Basha ma marrë dyfish mbështetje më shumë se partia që i ka mbështetur kandidatët. Rritje ka edhe kandidati Milloshi, i cili ka marrë 3 herë më shumë se partia e tij në proporcional. Nëse komunistët kanë marrë 447 vota në Këshill, kandidati Milloshi ka marrë 1394 vota.

Koalicionet

Koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin”, i drejtuar nga Partia Demokratike, me 117 717 vota, ka marrë 28 këshilltarë, nga 55 që ka Këshilli Bashkiak i Tiranës. Koalicioni “Aleanca për të ardhmen”, i kryesuar nga Partia Socialiste, me 117 166 vota, ka marrë 27 këshilltarë. Nisur nga filozofia se si u ndërtuan këto koalicione, Partia Demokratike e ka ndarë numrin e këshill-tarëve dhe me parti të tjera, duke marrë vetë 19 këshilltarë, e ndjekur nga Lëvizja Socialiste për Integrim me 5 këshilltarë, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 2 këshilltarë e më pas Partia Republikane dhe Partia e Legalitetit me nga një këshilltar secila. Ndërsa në koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, PS ka marrë një numër më të madh këshillt-arësh, 25, dhe dy parti përbërëse të këtij koalicioni, Demokracia Sociale dhe PSV ’91, kanë marrë nga një këshilltar. Partia Socialiste ka marrë në Tiranë 100 783 vota, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 74 530 vota, por pa mundur të përcaktojë shumicën e Këshillit Bashkiak. Në këto shifra, aleatët e Partisë Demokratike kanë pothuaj tri herë më shumë vota se aleatët e PS-së për Këshillin Bashkiak në Tiranë. Nga ana tjetër, PS është forca e parë, me një diferencë prej 26 mijë votash afërsisht më shumë se Partia Demokratike. Koalicioni “Aleanca për qytetarin” do të ketë shumicën në Këshillin Bashkiak, duke pasur një këshilltar më shumë se koalicioni i opozitës.


124 786 vota

në total ka marrë kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, duke llogaritur edhe votat pas hapjes së 122 kutive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve


124 705 vota

në total ka marrë kandidati socialist, Edi Rama, për Bashkinë e Tiranës, duke llogaritur edhe votat pas hapjes së 122 kutive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve


Minibashkitë, 9 këshilla i udhëheq koalicioni i PD


Rezultati i votave në proporcional për 11 minibashkitë në Tiranë tregon se këshillat e tyre do të dominohen nga koalicioni qeveritar. Sipas rezultateve, koalicioni i opozitës ka siguruar shumicën në Minibashkinë Nr. 5 dhe me një diferencë të vogël do të ketë shumicën në Minibashkinë Nr 6. Nga ana tjetër, koalicioni qeveritar do të ketë shumicën me të paktën një anëtar më shumë edhe në minibashkitë 1 dhe 7, të cilat janë fituar nga koalicioni i opozitës. Me një diferencë të ngushtë, koalicioni i PD-së do të ketë shumicën edhe në minibashkitë 4 dhe 3. Nga ana tjetër, koalicioni i PD do të ketë një shumicë më të gjerë në Minibashkinë Nr. 2, në Minibashkinë Nr. 8, Minibashkinë Nr. 9, Minibashkinë Nr. 10, si dhe në Minibashkinë Nr. 11. Së bashku me aleatët, kryesisht LSI-në, PR-në dhe PDIU-në, koalicioni qeveritar do të ketë shumicën e këshillave të minibashkive në Tiranë.


Rezultatet në Tiranë


Rezultatet për kandidatët


Lulzim Basha             124 786 vota


Edi Rama             124 705 vota


Hysni Milloshi            1394 vota


Të pavlefshme         6300 vota


Rezultatet në Këshill Bashkiak


Aleanca për Qytetarin         117 717 vota

Partia Demokratike         74 530 vota

Aleatët                 43 187 vota

Aleanca për të Ardhmen    117 166 vota

Partia Socialiste         100 783 vota

Aleatët                16 383 vota


Jashtë koalicionit (Këshill Bashkiak)

LZHK                3675 vota

PKSH                 447 vota


Të pavlefshme        12 200 vota


 


ERALD KAPRI