mbledhje-grupi-pd-lsa-e1444236572286Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i opozitës Lulzim Basha e ka nisur diskutimin me reformën në drejtësi, për të cilën tha se kryeministri Rama i trembet miratimit të saj, për shkak se - siç tha, - askush nuk ka më shumë nevojë gjatë ditëve të sotme për gjyqtarë të korruptuar, sesa vet kreu i ekzekutivit, duke qenë se kupola e drejtuar prej tij i ka futur duart në miliona euro koncesione.

"Më lejoni që edhe sot në nisje të fjalës t'i kushtoj pak kohë një procesi me rëndësi themelore për cilësinë e jetës së qytetarëve, për sigurinë e tyre, të pronës dhe fëmijëve të tyre, për sigurinë e tenderave që vidhen e shpërdorohen nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij. Ky është procesi i reformës në drejtësi, i cili edhe pse nisi në mënyrë të njëanshme si një mashë për të kapur gjykatat nga Edi Rama dhe kupola e tij, përsëri, me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe qëndrimin e qartë të PD-së, arriti të kthehet në çështjen kryesore të ditës.

A është reforma në drejtësi, një prioritet për Edi Ramën? Përgjigjja gjithsesi nuk paragjykon atë që kërkoj sot, që të lërë mënjanë propagandën aty ku faktet nuk i ecin më. T'i kthejë përgjigje ftesës sime për t'u ulur si përfaqësues të politikës në vend dhe për t'i dhënë vendit reformën në drejtësi, ashtu siç e meriton Shqipëria dhe shqiptarët, dhe jo siç e duan palët.

Kemi ku të bazohemi, parimet e Komisionit të Venecias, mbi të cilat duhet të reformohet drejtësia. Loja me ekspertët ishte përpjekje mjerane e Ramës për t'i ikur përgjegjësisë për këtë reformë. E kuptoj ankthin e tij, sepse askush nuk ka nevojë më shumë sot për gjyqtarë të korruptuar sesa Edi Rama, pasi kupola e tij ka futur duart në miliona euro koncesione. Askush nuk është më i interesuar për këtë reformë, sesa opozita e vendit, PD, e cila nuk ka kauzë më të rëndësishme se lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit, që po brejnë çdo qelizë të shoqërisë.

Këto nuk luftohen me një drejtësi të kapur, aq më pak me një drejtësi të shantazhuar. Nëse është për reformën në drejtësi, është i mirëpritur të kryejmë një proces që e duan të gjithë, edhe ata që nuk e deshën, që është ai i Dekriminalizimit. Kemi një precedent të suksesshëm, humbi një vit sepse u desh të instalonte edhe disa të inkriminuar në bashkitë e vendit, por në fund i miratua dhe pritet të hyjë tani në fuqi.

Opozita e do reformën dhe është gati të bëjë gjithçka për të. Të ulemi, t'i lëmë fjalët dhe t'u japim shqiptarëve reformën në drejtësi që meritojnë. Edhe pse reforma në drejtësi e tremb Edi Ramën", tha kryeopozitari Basha.

Më tej foli edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, një institucion për të cilin Partia Demokratike akuzon mazhorancën e sotme se nuk dëshiron të miratojë ligjin për ngritjen e tij, pavarësisht se në fakt ka qenë qeveria e sotme dhe veçanërisht Partia Socialiste që e ka propozuar ngritjen e BHK-së që prej fushatës së zgjedhjeve të 2013-s.

Basha autorizoi kreun e grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, t'i kërkojë Kuvendit gjatë seancës plenare të së enjtes që të miratonte me procedurë të përshpejtuar ligjin për BHK-në, një institucion që pritet të luftojë korrupsionin në nivele të larta, e që sponsorizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi modelin e FBI-së.

"Sa i përket Byrosë së Hetimit, duhet të futet në rendin e ditës të së enjtes në Kuvend, pasi gjithçka për të është rakorduar. Taksapaguesit amerikanë, përmes ndërhyrjes së çmuar të ambasadorit Lu, kanë vënë në dispozicion miliona dollarë për të trajnuar ekspertët që do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta. Autorizoj sot kryetarin e grupit parlamentar, që t'i kërkojë nesër Kuvendit miratimin me procedurë të përshpejtuar ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit", deklaroi ndër të tjera Basha./Top Channel/