basha news 24 2

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka paralajmëruardje shpërthimin e një tjetër krizë kombëtare, asaj të maturantëve, pas sjelljes së papërgjegjshme që qeveria ka treguar me brezin e intelektualëve të nesërm të kombit. Në një intervistë për studion e Eni Vasilit, Basha ka shprehur mbështetjen e plotë të opozitës për stinën e protestave të të rinjve që priten të nisin sot dhe ka kërkuar shtyrjen e hapjes së vitit të ri akademik

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar dje, në një dalje publike në "studio e hapur" e Eni Vasilit, të parën për këtë sezon televiziv të medieve shqiptare se "gjendja politike në vend është katastrofike" dhe se në vend ka shpërthyer një tjetër krizë. Kreu i opozitës theksoi se kriza e maturantëve që nuk arrijnë të fitojnë degët sipas sistemit të ri që ka aplikuar Ministria e Arsimit, është emergjente. "Ka shpërthyer një tjetër krizë kombëtare, kriza e maturantëve. Studentët gjenden para një kaosi total që i mohon brezit të ri drejtësinë, transparencën, mundësinë për të zgjedhur dhe studiuar në bazë të dëshirës dhe rezultateve që kanë arritur", u shpreh kreu i demokratëve Lulzim Basha. Lideri i demokratëve lexoi edhe disa mesazhe që maturantët i kishin dërguar në adresën personale, ku shprehnin shqetësimin për situatën e krijuar. "Jam një maturante, mesatarja ime është 9.17 dhe nuk fitoj në shtet asnjë degë. Theksoj që ne nuk kemi qenë të informuar. Çuditem me faktin përse mua më kanë ulur pikë përse nuk kam zgjedhur filozofi", është një ndër mesazheve që lexoi kryetari i PD. Lulzim Basha u shpreh në mbështetje të protestës së maturantëve që do të zhvillohet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe shtoi se Partia Demokratike do të zhvillojë takime me pedagogë dhe maturantë për të kuptuar dëmet që shkaktohen nga ky kaos për fituesit e degëve. "Mbështesim protestën me të gjitha mënyrat dhe format e ligjshme. Kemi kërkuar dhe do të kemi takime me pedagogë dhe maturantë për të kuptuar sa është dëmi i këtij kaosi", tha kryetari i PD.

Deklarata e Grida Dumës: Qeveria po zhyt maturantët në kaos, favorizojnë klientelën e universiteteve private/Edi Rama dhe Lindita Nikolla kanë zhytur maturantët në kaos. Në një dalje për media, kryetarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma u shpreh se ky kaos është shkaktuar nga qeveria e cila nëpërmjet rregullave që ka vendosur ka shkaktuar një dëm të pa riparueshëm. Sipas Dumës, mjaft nxënës të mirë nuk kanë mundur të fitojnë një degë për në universitet duke mos ditur sesi të kryejnë llogaritjen e pikëve. E gjitha kjo amulli u krijua pasi Rama ka vendosur prioritet mbi universitetet private. "Siç parashikuam për reformën e famshme në arsim, ashtu edhe doli. Edi Rama ia doli të prodhojë një skandal dhe dëm të pariparueshëm për të ardhmen e maturantëve që do të duhet të hynin në universitete. Maturantët nuk kanë një përgjigje sot, pse nuk rezultojnë fitues, edhe pse shumë prej tyre kanë rezultate të larta e shumë të larta. Nuk e dinë si është llogaritur mesatarja e tyre dhe se cila është diferenca midis mesatares të nxjerrë nga shkolla dhe asaj që del nga kriteret e aplikimit. Maturantët nuk u orientuan për grup lëndët preferenciale, të degëve që donin të vazhdonin, para plotësimit të formularit. Nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës, në llogaritjen e mesatares sipas profileve. Nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin. Nuk e dinë se në sa faza regjistrimi, do kalojë vuajtja e tyre për të vazhduar arsimin e lartë. Nuk marrin askund përgjigje për padrejtësinë që po i bëjnë. Qeveria i lau duart, duke ja hedhur përgjegjësinë Universiteteve, por gishti i maturantëve është drejtuar sot tek Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Sepse ata i tradhtuan duke i ndryshuar rregullat në prag të përfundimit të maturës. Ishte Rama me Nikollën që vranë meritat e çdo maturanti, mbollën kaos, zhdukën transparencën dhe i futën Universitetet në rrugë pa krye, duke favorizuar klientelën e tyre të universiteteve private. Sot fshihen pas deklaratave boshe, por në të vërtetë kjo dyshe ka mashtruar, shpërfillur e përçmuar të rinjtë. Eliminimi i maturës shtetërore si provim hyrës, mungesa e akteve nënligjore për shkak të paaftësisë totale të MAS, e kanë degraduar sistemin e pranimit në një katrahurë të vërtetë. Mungon merita. Nuk ka asnjë rregull apo normë. Maturantët nuk e dinë ende, pse ministria i voli atyre miliarda lekë me AKP-në e jashtëligjshme, dhe pasi i sorollati dyerve të shkollave, i ka lënë sot rrugëve para xhamave të Universiteteve. Familjet e maturantëve nuk e dinë, se si do t'i përballojnë tarifat e studimit e lloj-llojet e tarifave që shtohen çdo ditë në kurriz të tyre". Në përfundim, Duma thekson se kjo braktisje e tallje me maturantët duhet të marrë fund. "Kjo tallje me të ardhmen e vendit nuk mund të vazhdojë më. Të rinjtë duhet të bashkohen e të ngrohen për ti dhënë fund këtij sistemi të korruptuar e kriminal në arsim. Maturantët, studentët do të jenë më mirë pa Edi Ramën", u shpreh Grida Duma.