Partia Demokratike(PD) po mban Kuvendin e saj Kombëtar, forumin më të lartë vendimmarrës, ku pritet të miratohen ndryshimet në statut si edhe të zgjidhet Këshilli Kombëtar.

Kryetari Lulzim Basha foli para delegateve për gjithë vendin, për historinë e PD-së, humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit si edhe kërkoi ndjesë.

Ndërsa si shkak i humbjes në zgjedhjet e një viti më parë, sipas tij, ishte largësia me qytetarin, duke përmendur edhe ish-ministra dhe ish-drejtues të lartë të PD-se, që sic tha ai, u shkëputën nga zgjedhësit, raporton Top Chanel.

"Unë ju kërkoj ndjesë me përulje. Para së gjithash qytetarëve shqiptarë, që mund të jenë të ndjerë të braktisur dhe kanë pasur arsye të ndihen të zhgënjyer në pritshmëritë e tyre dhe bashkë me ndjesën dua t'ju deklaroj angazhimin, vendosmërinë, përkushtimin tim, përkushtimin për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona", tha Basha.

Kreu demokrat theksoi se thelbësore për humbjen mbetet distanca e krijuar me qytetarin, distanca me bazën e partisë.

"Një pjesë e përfaqësuesve tanë në qendër dhe në periferi, u lodhën nga qeverisja. Disa u ndjenë tepër të rëndësishëm për të dëgjuar qytetarët, për t'u marrë me problemet e njerëzve apo edhe fushatat elektorale. Qeveria investoi për vepra të mëdha, por disa nga përfaqësuesit tanë fjetën mbi dafina. Disa harruan se midis veprave me dobishmëri publike dhe qytetarit me problemet e tij personale, ka një hapësirë të gjerë ku përfaqësuesit tanë duhet të shërbenin me devotshmëri, ku lidershipi demokrat duhet të ishte si gjithmonë dhe si e ka të shkruar në ADN-në e tij, aty ku është jeta, halli, problemi i pazgjidhur, aty ku është papunësia, varfëria, përmbytja, fatkeqësia, shkelja e ligjit, diferencimi shoqëror, dhuna në familje", tha Basha.