28-11-2013 / Gazeta 55

101 vjetori i Pavarësisë, Bashkia e Tiranës organizon një sërë aktivitetesh

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka nderuar sot sakrificën e heronjve që dhanë jetën për lirinë e kombit shqiptar. Në këtë ditë, më të rëndësishmen në historinë e kombit tonë, kryebashkiaku Basha ka përkujtuar komandantin legjendar Adem Jashari, në 58 vjetorin e lindjes. Kurora me lule janë vendosur pranë shtatores së komandantit legjendar nga kryebashkiaku Basha, Këshilli Bashkiak, Ambasada e Kosovës, shoqata e veteranëve të Drenasit, të mbërritur në Tiranë, enkas për ceremoninë, shoqata e veteranëve shqiptarë të luftës së Kosovës etj.
 
“Sot, më 28 nëntor festojmë edhe ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Bashkë me sakrificën e mijëra e mijëra martirëve të kombit, kujtojmë sakrificën e familjes Jashari, sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, të mijëra shqiptarëve jo vetëm nga Kosova, Maqedonia, Presheva por anembanë trojeve shqiptare që luftuan në fundin e shekullit të kaluar dhe fillimin e shekullit të ri, luftën e fundit çlirimtare në Europë. Me këtë i dhanë fund njëherë e përgjithmonë robërimit të Kosovës, e çliruan dhe hapën rrugën e pavarësimit të saj, luftuan për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre stërgjyshërore dhe i ngritën të dy kokat e shqipes njëherë e përgjithmonë, krenare në flamurin tonë.
 
Me krenari e mirënjohje të thellë kombëtare, sot përkulemi para veprës heroike të komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari. Po kështu, me përgjegjësi të madhe për këtë vepër dhe domethënien e saj, shpreh bindjen se do të avancojmë kauzën e lirisë, demokracisë, mirëqenies së kombit shqiptar në tërësi dhe të çdo shqiptari, pavarësisht se ku jeton, në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, të Maqedonisë apo kudo tjetër, si një detyrë madhore e brezit tonë, për të përmbushur atë pjesë të përgjegjësisë që na takon, me frymëzim të madh nga sakrifica sublime e komandantit legjendar dhe bashkëluftëtarëve të tij, me vendosmëri të palëkundur, për të kryer detyrën tonë dhe për ta çuar deri në fund amanetin e martirëve të luftës çlirimtare”- deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.
 
Xhindi: Shumëllojshmëri aktivitetesh sot në Tiranë, ju ftoj të festojmë të gjithë së bashku, deri në orët e vona të natës


Me rastin e festave kombëtare, pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Atdheut, Bashkia e Tiranës ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në parkun “Rinia”. Aktivitete janë servirur për të gjitha moshat, por kryesisht fëmijët kanë qenë ata të cilët kanë shijuar aktivitetet e Bashkisë, si animime të ndryshme, këngë, valle, piktura, ku ata kanë mundësi të shfaqin talentin e tyre përmes penelit.
 
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi gjatë pjesëmarrjes në këto aktivitete ka uruar të gjithë shqiptarët për këtë festë: - “Sot është vërtet një ditë feste në Tiranë. Në emër të Bashkisë së Tiranës, unë i uroj të gjithëve “Gëzuar festën!” dhe në veçanti atyre që sonte, mbase për arsye të moshës nuk e ndjekin dot koncertin live ose për arsye të tjera. Sot, Bashkia e Tiranës ka menduar të targetojë të gjitha moshat. Aktivitetet kanë filluar që në orën 11.00 dhe do të vazhdojnë deri në orën 14.00. Unë ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, që të jenë këtu me mua sot në shesh. Këtu ka aktivitete, ka aktivitete për  fëmijët, për të pikturuar, ka aktivitete tek “Pedonalia”, banda në këtë kohë që ne flasim po performon pjesët e saj dhe do të jetë një ditë shumë aktive, deri në darkë. I gjithë qyteti do të jetë në festë. Edhe njëherë, unë uroj një festë të mbarë, për të gjithë ne!” - u shpreh nënkryetarja Xhindi.
Në parkun “Rinia” janë performuar valle të të gjitha krahinave, janë hapur ekspozita fotografike me momentet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë dhe momente të tjera të rëndësishme ndër vite, të lidhura me këtë ditë të shënuar.

...