Aspirata evropiane e Shqipërisë duket se është një pikë kyçe, ku pavarësisht inateve dhe përplasjeve klasa politike do të bashkohet.


Këtë të lë të kuptosh shënimi më i fundit i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Facebook, ku shprehet se partia që ai drejton e do Shqipërinë në BE dhe ka lobuar pro çeljes së negociatave të anëtarësimit.


Shqipëria në BE eshtë aspirata më e lartë e gjithë shqiptarëve. Shqiptarët duan të jenë pjesë e vërtetë e Europës. Partia Demokratike e do Shqipërinë në BE. Unë personalisht dhe bashkëpunëtorët e mi kemi lobuar dhe vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë europianë që Shqipërisë ti hapen negociatat. Ky është investimi ynë ndaj gjithë shqiptarëve dhe të ardhmes sonë të përbashkët, shprehet Basha.


Basha shton më tej se opozita do që negociatat të hapen edhe pse vendi përballet me shqetësime të rënda dhe serioze nga një sërë vendesh anëtare të BE-së në lidhje me krimin dhe drogën me origjinë nga Shqipëria dhe me emigracionin e paligjshëm nga bashkqytetarët tanë që kanë humbur shpresën dhe mundësitë të jetojnë në Shqipëri.


Ne shpresojmë që këto probleme të mos ndikojnë në vendimin për negociatat nga vendet e BE-së dhe të mos pengojnë hapjen e tyre. Me këtë rast përshëndes raportin për strategjinë për zgjerim të BE-së e cila konfirmon vullnetin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, nënvizon ai.


Sipas liderit të opozitës, përtej këtij vullneti politik, Strategjia e re për Integrimin  ngre probleme serioze dhe vë gishtin mbi disa plagë kryesore që ka vendi ynë. Kryedemokrati argumenton se ky raport është një radiografi e trishtuar e realitetit shqiptar dhe disa vendeve të tjera të Ballkanit.


Raporti flet qartë dhe më forcë për kapjen e shtetit nga interesat private dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes, për probleme të rënda dhe serioze të korrupsionit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias, për ekonomi jokonkuruese që duhet të reformohet thellësisht, për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për shtypjen e rolit të opozitës politike, thekson Basha.


Kryeopozitari Basha duke iu referuar Strategjisë thekson se bëhet thirrje për ndryshime dhe transformime të vërteta demokratike, në mënyrë që Shqipëria të dalë nga realiteti i vështirë ku ndodhet.


Procesi i integrimit nuk është proces mekanik, por proces përqafimi real të vlerave dhe standarteve politike dhe ekonomike evropiane, argumenton Basha.


Në përfundim të shënimit në Facebook, ai thekson vullnetin e Partisë Demokratike dhe të vetin për të ndryshuar politikën dhe ekonominë shqiptare duke përqafuar standardet dhe vlerat europiane, me qëllim futjen e Shqipërisë në BE brenda një dekade.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)