Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat ditën e sotme akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij si të lidhur me bandat dhe kriminelët. Sipas Bashës, dy të dyshuarit kryesorë që gjendeshin në Audin e blinduar që goditi makinën e zv/shefit të policisë së Elbasanit janë larguar nga Shqipëria me ndihmën e policisë së Ramës dhe sot gjenden në një nga vendet e BE.


Personat në Audin e blinduar që përplasën policinë, me ndihmën e policisë së Ramës janë larguar nga vendi dhe sot ndodhen në një vend të BE. Duhet të vendosim me votë të lirë që shqiptarët të mos shohin vetëm largimin nga vendi si zgjidhje, tha Basha.


Basha ritheksoi edhe një herë vendosmërinë e PD për të mos lejuar futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH, çka sipas tij do të vështirësojë edhe më tej mjerimin e shqiptarëve, pasi kjo taksë sipas Bashës do të sjellë rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit.


Kryedemokrati u shpreh më tej se kryeministri nuk do tja dijë për gjendjen e popullit të vet dhe faktin se shqiptarët më shumë se të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe Europës duan të largohen nga vendi i tyre, pasi sipas tij, Rama i jep llogari vetëm bandave të krimit me të cilat erdhi në pushtet dhe jo populli. Garantimi i votës së lirë është e vetmja gjë që mund ta ndryshojë këtë situatë, tha Basha.


PD do të luftojë fort kundër çmendurisë së rritjes së TVSH që do të çojë  në rritjen e çmimeve të konsumit. Do të vazhdojmë betejën kundër krimit të bërë njësh me qeverinë, por duhet ndërhyrje me themel; që është garantimi i votë së lirë. Vetëm kështu një qeveri duhet të japë llogari para njerëzve, sot Rama iu jep llogari vetëm bandave se me to erdhi në  pushtet”, tha Basha.


11 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)