basha

Kreu i Opozitës: "Sot, Rama të votojë Byronë e Hetimit - t'i hapë rrugë reformës në drejtësi. Loja me ekspertë mbaroi, të ulemi pa humbur kohë dhe të kryejmë një tjetër proces të lavdërueshëm me reformën në drejtësi, si procesi i dekriminalizimit"

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se opozita do të kërkojë gjatë ditës së sotme, futjen në rendin e ditës dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat, kreu Basha kërkoi konsensus për miratimin e reformës në Drejtësi, ndërsa theksoi se përgjegjësinë për mosmiratimin e saj e ka Edi Rama. Kreu demokrat e ftoi Edi Ramën që të lejojë të ulen në tryezë diskutimi ekspertët e të forcave politike në vend, në mënyrë që të përshpejtojnë procesin. Ndërsa u ndal tek koncesionet në shëndetësi, Basha deklaroi se Rama-Beqaj e kanë katandisur në turpin dhe dramën më të madhe të vendit. Basha u ndal edhe tek mbyllja e urgjencës, ndërsa apeloi Ramën të tërhiqet nga ky vendim kriminal. Duke denoncuar sërish lidhjet e Saimir Tahirit me krimin dhe kriminelët, kreu demokrati kërkojë me urgjencë Prokurorisë të nis hetimet për këto vepra kriminale. "Do t'i kushtoj pak kohë një procesi që ndonëse mund të duket abstrakt për qytetarët, ka një rëndësi themelore për cilësinë e jetës së tyre, për sigurinë e tyre, të pronës së tyre, të fëmijëve të tyre, për sigurinë e parave publike, të taksave, të tenderave, të prokurimeve, të cilat vidhen. Ky është procesi i reformës në drejtësi. Proces i cili ndonëse nisi në mënyrë të njëanshme, i konceptuar si një mashë për të çimentuar kapjen politike të gjykatave, prokurorisë, e të çdo hallke të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama dhe kupola e tij, prapë se prapë me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtarë dhe qëndrimin e qartë, parimor që prej ditës të parë të Partisë Demokratike sot ia ka dalë të kthehet në një proces në qendër të vëmendjes, në krye të listës së prioriteteve, jo vetëm për opozitën, BE, SHBA por edhe për qytetarët shqiptarë. Pyetja që shtrohet është kjo: A është drejtësia, reforma në drejtësi një prioritet për Edi Ramën? Unë e kam përgjigjen ndaj kësaj pyetje, ndonëse përgjigja nuk paragjykon atë që i kërkoj sot. I kërkoj të lerë mënjanë nazet dhe spërdredhjet, propagandën që e ka bërë zakon ta fusë kudo ku faktet nuk i ecin më, dhe t'i kthejë përgjigje ftesës time publike tashmë prej më shumë se një muaji, për tu ulur si përfaqësues të partive kryesore politike në vend, ne ose përfaqësuesit tanë, të Partisë Demokratike, të Partisë Socialiste, të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ti japim vendit reformën në drejtësi ashtu siç e meriton Shqipëria, siç e meritojnë shqiptarët, jo siç e do një palë apo pala tjetër. Dhe kemi sot një dokument ku mund të bazohemi, kemi rekomandimet e Venecias, kemi rekomandime kristal të qarta për sa i përket parimeve mbi të cilat duhet të reformohet drejtësia", deklaroi kreu Basha. Më tej, krye demokrati u shpreh se "Loja me ekspertë mbaroi. I madh e i vogël, të gjithë faktorët politikë në vend, partnerët ndërkombëtarë e kanë kuptuar se ku ka mbetur sharra në gozhdë. Gozhda është Edi Rama i cili me çdo kusht kërkon: ose të kapë drejtësinë ose jo reformë në drejtësi. Unë ia kuptoj ankthin. Sepse për mua pyetja që shtrova para qytetarëve është pyetje retorike. Askush nuk ka më shumë nevojë sot për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar sesa Edi Rama dhe kupola e sejmenëve të tij që kanë futur në duar vetëm vitin e kaluar 1.1 miliardë euro tendera, koncesione, prokurime. Askush nuk i trembet më shumë një drejtësie të pavarur, të reformuar dhe efektive që punon dhe nuk bën sikur punon, që shkon pas korrupsionit duke nisur nga peshku më i madh, sesa kreu i ekzekutivit. Dhe për analogji askush nuk është më i interesuar për reformën në drejtësi se opozita e vendit, Partia Demokratike e cila nuk ka kauzë më të rëndësishme se luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dy gangrena që po zhbëjnë çdo standard të sigurisë dhe të jetës për qytetarët në këtë vend. Pra, zotit Rama s'i mbetet veçse të përgjigjet drejt, pa spërdredhje. Nëse është për reformën në drejtësi është i mirëpritur dhe këtë ftesë që po ia drejtoj unë, kryetari i opozitës. Edhe pse normalisht do duhej ta drejtonte ai si kreu i qeverisë. Të ulemi pa humbur kohë dhe të kryejmë një tjetër proces si ai që të gjithë po e lavdërojnë sot, edhe ata që nuk e deshën dhe që në fakt nuk e duan akoma por që s'kanë çfarë të bëjnë, procesi i dekriminalizimit", tha Basha.

Kuvendi të miratojë me proces të përshpejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit/Në vazhdim, Basha u ndal tek Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërsa tha se duhet të futet në rendin e ditës së sotme."Kemi një produkt të gatshëm për të cilin siç më është raportuar edhe vetë zoti kryeministër ka rënë dakord, unë kam rënë dakord, përfaqësuesi i Ilir Metës tha javën e kaluar se paskësh rënë dakord. Dhe kjo është Byroja Kombëtare e Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të futet në rendin e ditës ditën e enjte. S'ka mbetur gjë tjetër për t'u rakorduar, gjithçka është rakorduar. Taksapaguesit amerikanë përmes ndërhyrjes së çmuar të ambasadorit Lu dhe qeverisë amerikane kanë vënë në dispozicion miliona dollarë, për të trajnuar prokurorët dhe punonjësit e policisë që do të jenë pjesë e kësaj strukture për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë. Po për këtë çfarë presin, pse vonohet? Ndaj sot dua të autorizoj kryetarin e Grupit Parlamentar që nesër në seancë plenare ti kërkoj Kuvendit miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit", deklaroi Basha.

Shëndetësia shqiptare, sektori ku mishërohen skandalet e qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës/Më tej, ai u ndal tek shëndetësia, ndërsa akuzoi Edi Ramën dhe Ilir Beqaj se e kanë katandisur shëndetësinë në dramën më të madhe në vend."Shëndetësia është pasqyra më autentike e qeverisjes së korruptuar dhe demagogjike të Edi Ramës, ku mishërohen skandalet më të mëdha dhe veset më të shëmtuara të këtij modelit "Para dhe propagandë". Të tillë e bënë shëndetësinë të pangopurit dhe të paskrupujt në krye të qeverisë. Asaj ia kanë vënë syrin që në fillim me përparësi, dyshja Rama-Beqaj dhe si rezultat e kanë katandisur në turpin dhe dramën më të madhe në vendit. Është e vështirë të gjesh sot një mjek, një infermier, një punonjës, një pacient apo familjarët e tyre, me përjashtim të ndonjë rrotë lyeri nga qeveria, që të mos ndihet keq kur dëgjon, sheh dhe prek se shëndetësia shqiptare është në fakt e sëmura e madhe, e shpërdoruara e madhe, e dhunuara e madhe, e shfrytëzuara e madhe e Edi Ramës, Ilir Beqës, ortakëve dhe miqve tyre. Sondazhi i fundit i financuar nga Bashkimi Europian dhe PNUD-i tregon se shëndetësia si sektor kryeson dhe udhëheq rënien në pikiatë të besimit të qytetarëve te kjo qeveri nga viti 2014 në vitin 2015. Shëndetësia është në ditën e saj me të zezë edhe pse qytetarët nxjerrin miliona euro nga taksat, nga xhepat e tyre për të. Por këto miliona përfundojnë në xhepat e Ramës, Beqës, Nushit dhe tarafeve të tyre. Shëndetësia falas jo vetëm që është harruar, nuk përmendet por sot shërbimi shëndetësor është ku thërret qameti. Spitalet nuk kanë medikamentet dhe pajisjet bazë, për të mos folur për pajisje apo medikamente që duhen për sëmundjet e renda, sepse për ato nuk pretendon më askush. Qytetarët po paguajnë sot jo vetëm miliona euro kompanisë së Vilma Nushit për Check-up- in e famshëm, por rezultatet e tij i kanë zhytur në depresion të thellë e të pajustifikuar. Rezultatet e analizave kanë nxjerrë një pjesë të madhe të pacientëve femra me probleme me prostatë. 50 për qind e qytetarëve femrave që kanë bërë Check-up kanë dalë të alkoolizuara. Shumë persona kanë rezultuar me para infarkt, apo siç u bë publike nga kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, rasti i zonjës nga Kamza ku rezultatet e analizave i nxjerrin proteinat totale 25, çka do të thoshte se ajo duhej të ishte në dializë por në fakt ajo jeton një jetë me një regjim pothuajse atletik. Kjo është shëndetësia e Ramës dhe Beqajt për të cilën shqiptarët paguajnë miliona euro. Ne si opozitë kemi provuar dhënien e 1.7 mld lekëve më shumë vetëm vitin e kaluar për 100 mijë kontrolle që nuk janë kryer kurrë", tha Basha. Sipas Bashës,"Edi Rama ka dhënë mbi 300 milionë euro për shëndetësinë jashtë sistemit në duar klientësh, dhe mundohet përditë të shesë në publik, me regji të fortifikuar, në ambiente ku nuk hyn ajër tjetër pos propagandës bajate, se kemi një shëndetësi tjetër nga ajo që prekim, një në lulëzim. Po mijëra pacientë që dergjen pavijoneve e përgënjeshtrojnë. Dhjetëra, mijë familjarë të tyre e përgënjeshtrojnë. Të sëmurët që marrin serum në karrige e përgënjeshtrojnë. Dhe ngjarje të rënda si ajo e Beragozhdit në Pogradec 3 ditë më parë, e hedh poshtë këtë propagandë anti-humane të Ramës sepse u pa qartë se qindra milionë eurot e Ramës nuk iu gjendën sa duhet, si duhet dhe kur duhet të plagosurve. Edi Rama ka zgjedhur mos ta njohë këtë realitet. Të mos përballet me të sepse për të shëndetësia nuk është pacienti, nuk është i sëmuri, nuk është hallexhiu. Shëndetësia për të është Vilma, është Nadiri, është emigranti i Peruxhias me një punëtor, është Beqaj dhe salloni ku vërtiten miliardat. Shëndetësia falas, ky premtim demagogjik i Edi Ramës dhe qeverisë së tij, ka rezultuar jo vetëm një gënjeshtër e madhe por mbi të gjitha një marifet për të vjedhur dhe abuzuar përmes koncesioneve dhe tenderave që kanë lënë gojëhapur të madh e të vogël, përmes financimit me paratë e qytetarëve shqiptarë, të shërbimeve dhe strukturave paralele apo gjysmë paralele me ekzistueset, të menaxhuara tani nga privatë të përzgjedhur prej dyshes Rama-Beqja. Këta kanë krijuar një sistem shëndetësor që nuk është as publik, as privat, por thjesht korruptiv".

Shkrirja e Urgjencës, Edi Rama të tërhiqet nga ky akt korruptiv/Më tej, Basha u shpreh se "Një tjetër aferë është paralajmëruar nga mjekët e Urgjencës së Tiranës. Një urdhër verbal i Ilir Beqajs parashikon shkrirjen e urgjencës, pa asnjë studim, pa asnjë konsultim, pa dhënë sqarime se kush do ta ofrojë këtë shërbim. Synimi është i qartë thonë mjekët. Urgjenca jepet me koncesion, toka ku është urgjenca jepet për pallat. Ne jemi sot në krah të mjekëve dhe qytetarëve dhe i bëjmë thirrje Edi Ramës të tërhiqet menjëherë nga ky akt dhe të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar kushtet në këtë urgjencë e cila duhet t'u vijë në ndihmë të menjëhershme qytetarëve. Ne nuk do të ndalemi me denoncime tona të mbështetura si gjithmonë në fakte dhe argumente të pakundërshtueshëm. Ndërkohë kemi përgatitur dhe do të shpalosim edhe programin tonë për shëndetësinë. Gjithçka që kemi deklaruar ne ka dalë siç kemi thënë ne. Duke filluar me kontrabandën e duhanit dhe karburanteve, duke vazhduar me Check-up-in apo denoncimet tona të fundit për lidhjet kriminale dhe emërimet kriminale nga Rama dhe Tahiri në poste kyçe", deklaroi kreu Basha.

Prokuroria të nisë hetimet për veprat korruptive të Edi Ramës dhe skutës së tij/Ndërsa u ndal tek lidhjet e Saimir Tahirit me krimin, kreu demokrat i kërkoi Prokurorisë të nis hetimet."Shembull ilustrues i fuqisë së bandave mbi këtë dyshe dhe i degradimit të skajshëm të kësaj qeverisje për këtë shkak është emërimi në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganave të njëfarë Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej disa javësh ky person dhe përmes këtij personi, klani kriminal që e ka promovuar, ka në dorë jo vetëm kontrabandën por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Pra, ka në dorë çdo lehtësi për trafiqet e drogës, të armëve dhe çfarëdolloj trafiku dhe kontrabande tjetër. Nuk është fare rastësi që pas këtij emërimi padroni i Saimir Tahirit, Emiliano Shullazi u fut, jo doli por u fut nga pika e kalimit kufitar në Durrës me një mjet të blinduar, që as nuk u ndalua, as nuk u kontrollua. Pasi ne e denoncuam këtë fakt Edi Rama vuri në punë gjithë shtetin dhe prodhoi një dokument, që në fakt vërteton denoncimin tonë, prodhoi dokumentin e daljes së Audit Q7 por jo hyrjes së makinës së blinduar dhe me këtë mashtrim, Edi Rama rikonfirmoi edhe një herë para qytetarëve, para opozitës, para partnerëve tanë zyrtarisht lidhjen e tij me Emiliano Shullazin dhe Shullazët e tjerë të krimit. Në përfundim, Basha u shpreh se "Ne i themi dhe do t'i themi, do t'i ndajmë me qytetarët, me miqtë dhe partnerët tanë që janë të alarmuar për lidhjet e politikës me krimin në Shqipëri, për peshën e krimit në vendimmarrjet e qeverisë. Kjo është lufta jonë: e ndershme, principale, ballore, dhëmbë për dhëmbë kur është nevoja. Nuk mund të pranojmë kurrë që korrupsioni dhe krimi të bëjnë ligjin në këtë vend. Ndaj jemi të vendosur dhe do të bëjmë çmos që reforma në drejtësi sipas Venecias të mos pengohet nga Edi Rama. Ndaj i kemi kërkuar dhe i kërkojmë Prokurorisë të hetojë më urgjencë, të komunikojë për hetimet që ka nisur e të nisë me urgjencë hetimet për koncesionet, për tenderat abuzivë, për aferat e mëdha korruptive në shëndetësi, në energjitikë, në rend e tjerë, të denoncuara nga KLSH, nga opozita, nga media e lira dhe nga qytetarët. Denoncimet e KLSH-së për abuzimet me vlerë rreth 480 milionë euro të kontratës së likuidimit të qeverisë me ÇEZ , denoncime të tjera për afera të tjera korruptive të ministrave të sotëm janë aty. Denoncimet e opozitës janë aty e do të jenë aty. Ne nuk tërhiqemi as nga beteja politike, as nga beteja ligjore. Për asnjë çmim", u shpreh kreu Basha.