Basha

Kreu i Opozitës: I kërkojmë KLSH-së të nisë menjëherë një auditim të plotë të procesit

Kreu i Opozitës: "Shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Shpallja e plotë e listave, nga i pari maturant tek i fundit, transparencë totale, e menjëhershme, qysh sot. Frenimi i regjistrimit dhe publikimi i kritereve. Kërkojmë që KLSH të nisë menjëherë një auditim të plotë të procesit"

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se drama dhe lotët e maturantëve janë rezultat i një pseudoreforme që ka rënë që në nisje. Kreu Basha reagoi për kaosin e krijuar me maturantët që presin të hyjnë në universitet, ndërsa renditi një sërë abuzimesh të ministrisë së Arsimit, por edhe Qeverisë Rama. Basha theksoi se kjo situatë kaotike që po rrezikon të ardhmen me mijëra maturantëve ka zgjidhje. Sipas Bashës, shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ndërsa kërkoi transparencë totale dhe të menjëhershme. Basha i kërkoi KLSH që të nisë menjëherë një auditim të plotë të procesit. "Drama dhe lotët e maturantëve sot janë rezultati i një pseudoreforme që ka rënë që në nisje. E pompoi me të madhe Edi Rama por prodhoi padrejtësi. Mijëra 18 vjecarë, të prerë në besë, të cilët në vend që të ishin duke u bërë gati për momentin më të rëndësishëm të jetës, sot kanë një barrë tjetër nga Edi Rama, sepse janë lënë në rrugë, nuk e dinë ku do shkojnë, shohin se mesatarja e tyre e shkëlqyer papritur përfundon në mesatare të ulët. Kjo është reforma e Edi Ramës, që hedh poshtë mundin, talentin, punën e madhe, studimet e disa viteve, me një të rënë të lapsit. Si rasti i maturantes nga Shkodra me medalje ari, fituese e olimpiadave kombëtare, e cila e sheh sot veten jo-fituese në çdo universitet që ka aplikuar. Apo maturantja e përlotur në zyrën e ministres së Ramës, Linditës anti-dije, anti-arsim, që i ndërpret paturpësisht dhe fjalën. Edi Rama nuk u dha kohë të mjaftueshme maturantëve për të zgjedhur, lista fillestare nuk është e shpallur, s'ka transparencë, ka krijuar shtigje për të futur tarafin e vet në shkollë të lartë. Abuzimi me kriteret e mesatares është në fakt dera e hapur për një korrupsion masiv të trafikimit të vendeve në universitet. Këto janë rezultatet dramatike të asaj që u nis keq që në fillim sepse qëllimi i Edi Ramës nuk ishin dhe nuk janë studentët, dija, auditori, por kapja e universitetit, kapja e rektorëve, nëpërmjet bordit të administrimit. Bordi i administrimit nuk është gjë tjetër veçse dora e zgjatur e Edi Ramës që ka marrë sot autonominë, financat, çdo burim universiteteve, vendos ku do shkojnë fondet, sundon rektorët e pedagogët", tha Basha. Më tej, ai shtoi se kjo dramë kombëtare, ka zgjidhje. "Shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Shpallja e plotë e listave, nga i pari maturant tek i fundit, transparencë totale, e menjëhershme, sot. Frenimi i regjistrimit dhe publikimi i kritereve. Kërkojmë që KLSH të nisë menjëherë një auditim të plotë të procesit". Basha njoftoi se në faqen zyrtare të Partisë Demokratike është ne funksion aplikacioni ku çdo maturant mund të denoncojë rastin e tij, dhe ne do ta ndjekim. "http://www.pd.al/trego-rastin-tend/Te dashur maturantë, jemi ne krahun tuaj dhe prindërve tuaj. Se bashku te luftojmë që e drejta e juaj, mundi dhe sakrifica juaj te mos nëpërkëmben, të mos dhunohen. Se bashku nuk do t'i lejojmë ta dërrmojnë rininë e t' ja vjedhin te ardhmen. Kauza juaj do të çohet deri në fund, u shpreh Basha.