Lideri i opozitës Lulzim Basha, ka bërë me dije ditën e djeshme, se kryeministri Rama po bën gjithçka për të shmangur zgjedhjet në partinë e tij. "Marrë shkas nga zgjedhjet për kryetarët e degëve të Forumit Rinor Demokrat në kryeqytet, shefi i opozitës Lulzim Basha ka atakuar kundërshtarin e tij politik Edi Rama, duke e akuzuar për mbylljen e garës në PS" - deklaroi Basha, i cili tha se kreu i socialistëve është kthyer në një satrap oriental. Ndërkohë, kryeopozitari Basha tha se Rama j'ua imponon shqiptarëve zgjedhjen jo mes më të mirëve, por mes më të nxirëve. "Kjo klikë do të eliminojë zgjedhjen, do të zëvendësojë me pseudo zgjedhje, e kanë nisur brenda shtëpisë së tyre. E kanë nisur duke iu imponuar shqiptarëve zgjedhjen jo mes më të mirëve, por mes më të nxirëve. Në vend të zgjedhin mes një inxhinieri e mjeku zgjedhin mes një trafikanti droge një tutori prostitucioni. Ramën e tremb zgjedhja e lirë. Ai sot po bën gjithçka për të shmangur zgjedhjet në partinë e tij, model satrapi oriental modeli i frenimit të zhvillimit, modeli i rrugës që nuk duhet ta marrë Shqipëria" - tha lideri i Partisë Demokratike, i cili e përcaktoi modelin e Ramës, si tjetërsim të vlerave dhe identitetit tonë. Ndërkaq, Basha shtoi se këtë model që po ju imponon Rama sot socialistëve, rrezikon t'ia imponojë popullit shqiptar nesër. "Me lirinë për të zgjedhur po abuzohet në këtë vend. Kërkojnë të eliminojnë përfundimisht zgjedhjet, këtë po ja imponojnë socialistëve dhe më pas të gjithë popullit shqiptar. Ai prishi procesin zgjedhor, atë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Meraku i tij ishte të tregonte letrat që 1 mijë shuplaka i kishte akoma në xhep". Po ashtu, kryedemokrati Basha tha se partitë që mbysin votën e lirë, që asgjësojnë vullnetin e lirë janë të destinuar jo vetëm që të mos qeverisin, por të zhduken nga harta e qeverisjes politike.