Pas përqendrimit për më shumë se dy javë tek çështja e trafikut të drogës, opozita e ka vënë fokusin tek ekonomia dhe dy grevat e urisë që po zhvillohen prej disa ditësh tashmë në kryeqytet. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i saj Lulzim Basha bëri një pasqyrim të situatës ekonomike në vend ndërkohë që u ndal gjerësisht edhe tek dy grevat e urisë që po zhvillohen këto ditë.
Greva
Basha kritikoi qëndrimin që po mban kryeministri dhe ministrat e kabinetit në lidhje me grevat që po zhvillohen, qëndrim i cili sipas kreut të PD-së është një lloj papërgjegjshmërie dhe cinizmi. Kryeministri dhe qeveria e tij vazhdojnë të injorojnë ndërkohë dy grevat e urisë, gjithnjë e më kritike në zgjatjen e tyre, që po zhvillohen në Tiranë nga përfaqësues të shoqatës së të larguarve nga puna në mënyrë të paligjshme dhe nga ish të përndjekurit politikë. Me një papërgjegjshmëri dhe cinizëm të pashpirt, kryeministri dhe ministrat e kabinetit të tij kanë krijuar e vazhdojnë të krijojnë lloj-lloj alibish për të mos u marrë me problematikën e madhe dhe problemet e shumta, sa individuale aq edhe shoqërore, ligjore dhe njerëzore të grevës së të larguarve nga puna, tha Basha. Kreu i opozitës i bëri thirrje kryeministrit që të vendosë menjëherë dialogun me grevistët si dhe të shqyrtojë pa asnjë vonesë kërkesat e tyre. I bëj thirrje sërish qeverisë të vendosë menjëherë dialogun me të dyja grevat, të shqyrtojë pa vonesë dhe me realizëm natyrën e kërkesave të punonjësve të larguar nga puna dhe të reflektojë konform ligjit ndaj tyre, të përballet me të përndjekurit politikë, të shpjegohet me ta për premtimet e dhëna me zë dhe figure, dhe të shpjegohet për mosmbajtjen e tyre, deklaroi Basha.
Ekonomia
Duke u ndalur tek ekonomia, Basha bëri një pasqyrim të situatës duke thënë se sipas të dhënave ka rënie të të ardhurave krahasuar me parashikimin e vetë qeverisë, rënie të investimeve krahasuar me qeverinë e demokratëve, rënie të shlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit, rënie këto që sipas opozitës, nuk duhet të ekzistonin për shkak të rritjes së taksave. Në bazë të normës së re të ardhurat nga tatim-fitimi duhej të ishin rritur minimalisht në masën 50 përqind, në fakt janë rritur 23 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ishte në fuqi taksa e sheshtë. Çka ndodhur? Ku është 27 përqindëshi? Evazion dhe korrupsion qeveritar, rënie dhe tkurrje ekonomike. Ky është shpjegimi. E gjithë kjo e shoqëruar me më pak vende pune, më pak punësim, më pak të ardhura për individët dhe familjet, më shumë vështirësi, varfëri dhe mjerim për qindra-mijëra familje që ushqehen nga sektori privat, deklaroi kreu i PD. Basha siguroi se në ditët e ardhshme ekonomia do të jetë në qendër të vëmendjes së opozitës. Kjo do të vazhdojë të mbetet në qendër të vëmendjes dhe opozitarizmit tonë të mbështetur në shifra, fakte të pakundërshtueshme dhe argumente bindëse që do të vazhdojmë ti bëjmë transparente para qytetarëve, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.