Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij të përditshme nga çadra e protestuesve përpara Kryeministrisë, ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë, u shpreh se republikën e re e ka vendosur rinia, dhe po e tha rinia është një vendim që do të bëhet realitet.


Basha vlerësoi se roli i të rinjve është i padiskutueshëm për Shqipërinë  e re që sipas tij po lind nga ky shesh, ku dikur kapardiseshin pushtetarët, ndërsa theksoi se listat e PD, kur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri teknike, 1/3 e deputetëve që do të shkojnë në kuvend do të jenë të rinj e të reja.


Republika e re është ajo ku qytetarët nuk kanë frikë pushtetarët, por pushtetarët ulin kokën para çdo qytetari. Kjo garantohet përmes një shteti ligjor funksional, ku ligji zbatohet njësoj për çdo shqiptar. Kjo realizohet përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku të ketë qarkullim të elitave dhe sa më shumë të rinj në kuvend. 1/3 e kandidatëve të PD në listat për deputet kur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme do të jenë të rinjtë, tha Basha.


Kryedemokrati përsëriti sërish thirrjen në drejtim të kryeministrit që të largohet me nder duke i hapur rrugën qeverisë teknike, ndryshe sipas Bashës, do të përfundojë si Duçja.


Ti je i ikur, por ne duam që ikja jote të ketë sa më pak kosto për shqiptarët, se po të ishte për karshillëk, 18 shkurti tjetër të gjen në Lanë jo në zyrë, – tha Basha. -Nuk do ketë zgjedhje fasadë. Bëj derman vetes, na e kurse dhe ne gjithë këtë hare dhe gëzim dhe rritjen e rradhëve ditë për ditrë, bëhu i zgjuar, jep dorëheqjen, hape rrugën për qeveri teknike dhe zgjehdje të lira dhe ndershme. Se çfarë do të ndodhë do ta caktojnë qytetarët”.


20 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)