Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratët e Beratit, Kuçovës, Policanit ku u ndal në analizën e asaj çfarë ndodhi me 25 qershor.


Basha tha se nga njëra anë qëndronte PD me vlerat dhe programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetërore e angazhuar në shitblerjen masive të votës.


Basha: E dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri. Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së indentitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës.


Lulzim Basha tha se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme.


Basha: Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike.


Vetëm PD, ka moralin dhe vlerat për ta shpëtuar vendin, tha Basha, dhe ai është gati ta bëjë këtë betejë deri në fund.


Basha: Vij tju kërkoj të vazhdoj këtë betejë me ju, për demokratët e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që janë gati të na bashkohen në një luftë, jo për kolltuqe dhe privilegje, por për ndryshim.


/Oranews.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter