Integrimi
Braçe ironizon: Sa herë Rama përballet me skeptikët, Basha lobon fort
HERION MESI
Menjëherë pasi përfunduan takimin me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për strategjinë e luftës kundër drogës, ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë zhvilluan një drekë pune me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Takimi mes kreut të PD-së me ambasadorët e BE-së vjen vetëm dy ditë kur selia blu vendosi që të tërhiqet nga zhvillimi i protestave në vend deri në dhënien e vendimit nga Brukseli për çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, i cili do të jepet këtë muaj. Por për këtë takim që ishte i panjoftuar për mediat, kanë ironizuar deputetët socialistë në rrjetet sociale, duke theksuar se sa herë Rama zhvillon takime të nivelit të lartë, Basha sipas tyre, mundohet të gjejë një justifikim që të duket se po lobon fort për marrjen e statusit në fund të muajit.
Takimi
Për më shumë se tre orë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mësohet se i ka paraqitur argumentet e opozitës diplomatëve europianë se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE. Po afron fundi i qershorit, datë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Data kur Këshilli Europian do të shqyrtojë çështjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Opozita ka intensifikuar veprimtarinë e saj në përputhje me përkushtimin për mbështetje pa kushte për integrimin europian të Shqipërisë dhe me këtë rast, edhe me drekën e punës me të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, pata rastin së bashku me bashkëpunëtorët e mi, të kërkoj mbështetje totale për miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë në mbledhjen e qershorit, -tha Basha menjëherë pas përfundimit të takimit. Por pavarësisht politikës së opozitës për kushte zero për integrimin, kryetari i PD-së u ka shprehur ambasadorëve edhe disa shqetësime lidhur me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe atë që opozita e cilëson si sjellje antidemokratike të qeverisë. Kërcënimi i trafikut të drogës i ngritur në sistem është një kërcënim për çdo shqiptar të majtë apo të djathtë, për mënyrën tonë të jetës, për moralin, për virtytet, për ekonominë, për stimujt e konkurrencës së ndershme, për demokracinë, për shtetin ligjor, për policinë, për kapjen dhe blerjen e zgjedhjeve. Të gjitha këto janë rreziqe imediate për individin shqiptar, për familjen shqiptare, për demokracinë shqiptare. Ndaj nuk mund të mos jenë kauzë e opozitës çdo ditë dhe çdo orë, -tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Deputeti socialist
Sapo është vënë në dijeni për këtë takim surprizë të kreut të PD-së, deputeti socialist, Erjon Braçe, në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook ironizon lobimin e Bashës për çështjen e statusit. Kur Kryeministri ishte në Holandë i ftuar nga Kryeministri i një qeverie të vështirë për statusin e vendit kandidat, Lulzim Basha lajmëroi se ishte në Gjermani ku takoi vetëm një deputet, vetëm një! Kur sot, Kryeministri është në Paris në një takim me Presidentin e Francës, një vendi tjetër të vështirë për statusin e vendit kandidat, Lulzim Basha lajmëron se po ha drekë me ambasadorët në Tiranë ku po lobon fort për statusin, por dhe po shpreh pakënaqësitë e opozitës lidhur me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri! Pra, Lulzim Basha po punon fort në favor të vendimit për të dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Po fort fare ama, – shkruan Braçe. Duke vijuar më tej, deputeti i PD-së komenton dhe shkeljen e Protokollit të Shtetit për vizitat e njëkohshme të krerëve të shtetit në vende të ndryshme. Unë di që Kryeministri ndodhet në Paris në takim me Presidentin Holonde për çështjen e Statusit. Unë di që Kryetari i Kuvendit ndodhet në Kuvajt në takim me Kryetarin e Kuvendit për një nisje të re të marrëdhënieve me një prej donatorëve më të mëdhenj në atë rajon. Po Bujar Nishani çfarë bën në Katar? Unë besoj për të forcuar akuzat adresuar Katarit për blerje të vendimit për të organizuar Botërorin atje! Apo, për të negociuar për të drejtat e punëtorëve që po vriten nga shfrytëzimi barbar në këtë sipërmarrje- shprehet Braçe.
Shteti Ligjor
Në takim diskutuam një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me aktualitetin politik, me problematikën në lidhje me parametrat kryesorë të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale- tha Basha.
Ky shkrim Basha me ambasadorët: Trafiku i drogës, kërcënim për blerjen e votës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.