Protesta e banorëve të Astirit që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre, që preken nga projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, ka hyrë sot në ditën e 33-të dhe krah tyre është gjendur kryedemokrati Lulzim Basha.


Kreu i PD dha një deklaratë për mediat, duke akuzuar qeverinë se do ti nxjerrë banorët nga shtëpitë në mes të dimrit për një afërë korruptive.


Merremi pak me gjërat e rëndësishme shikoni çfarë po ndodh kemi protestën te Unaza që duan ti nxjerrin nga shtëpitë para dimrit. Kemi protestën në Shkozë që i kanë premtuar  me video dhe më zë që nuk do i prishim shtëpitë. Kemi grabitjen te Teatri Kombëtar, ku duan të prishin një vepër arti, për të ndërtuar kulla dhe për të nxjerrë atje 200 milionë euro. Dhe kemi protestën e studenteve që duan të vjedhin vit pas viti tarifa. Çfarë i bashkon këto protesta? Një qeveri që ka vetëm grabitjen. Motivi që i bashkon është vetëm grabitja. Këtu te Unaza e Re ka një aferë të konsiderueshme korruptive, tha Basha.


“Edi Rama ju thot këtyre të pasur, jeni futur në shtëpitë e tyre, i keni parë si i kanë shtëpitë këta të ndërtuara me djersë dhe gjak. Pastaj shkoni dhe shikoni vilën e Surrelit, apartamentet dhe vilat e Ministrave të Edi Ramës, të Gjiknurit, Ahmetaj, Ilir Beqës, Lindita Nikollës, Erion Veliaj, Saimir Tahirit. Këta janë njerëz të varfër. E bën për ti përçarë banorët”, shtoi lideri i opozitës.


Duke u ndalur gjatë te protesta e mijëra studentëve, të cilët bojkotuan sot mësimin në auditore për të rrethuar Ministrinë e Arsimit, ku kërkuan anulimin e VKM-së për provimet e mbetura dhe uljen e tarifave të shkollimit, Basha tha se ky tubim i ka prishur rehatinë hajdutëve.


Tani vijmë tek protesta e studentëve. Edi Rama nuk investon për arsimin. Lekët që duhet të shkonin për të arsimuar rininë, shkojnë në vend tjetër. Por ai i mban të rinjtë injorantë. Gjithçka nis nga rinia. Dhe kësaj mund ti kundërvihemi me bashkim. Të rinjtë e kanë kuptuar, do i përshëndes nga zemra. Kanë arritur që të krijojnë një shtangie. I kanë prishur rehatin hajdutëve, tha Basha.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)