Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim në bashkëpunim me Aleancën në Mbrojtje të Teatrit, ku ka theksuar se kjo është një kauzë e drejtë dhe shembull frymëzues.


Gjatë fjalës së tij në aktivitetin Arti në mbrojtje të demokracisë, kreu i PD, Lulzim Basha është ndaluar edhe tek kriza politike për të cilën tha se kërkohet një zgjidhje akute përmes qeverisë tranzitore.


Duhet qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër dhe zgjedhje të përkohshme për daljen nga kjo krizë. Parlamenti, pushteti të jenë produkt i votës së lirë, dhe me procesin e qeverisjes të jenë nën kontroll për të mos u kapur nga interesa kriminale. Diskutimi nuk ndodh në eter, ndodh në mes të kësaj krize të thellë, ku qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për protesta, për ti dhënë fund çdo iluzioni e deluzioni të një regjimi që duhet të marrë fund e duhet ti hapë rrugën një procesi llogaridhënie për të gjithë ata që asgjësuan procesin zgjedhor dhe shkaktuan këtë krizë, tha Basha.


Sipas Bashës, opozita dhe populli kanë mundësitë të ndalin qeverisjen e gabuar të Ramës, duke mos e parë  thjesht si betejë për largimin e shkaktarit por si një mundësi për të reformuar të gjithë ato aspekte të bashkëjetesës demokratike, e për ti dhënë fund çdo pengmarrje të qeverisë.


Ka ardhur koha që me rastin e kësaj krize të gjithë bashkë të japim kontribut të mos mjaftohemi me kapërcimin e krizës së radhës po ti japim fund këtij tranzicioni dhe të vendosim themelet e një shteti ku askush mos jetë në gjendje të kapë pushtetet dhe të braktisë paktin me qytetarët pa u përballur me pasojat që do të përballeshin në Europë. E thënë shkurt kur kemi një qeveri të kapur, si kudo kjo duhet të shkaktojë vënien e përgjegjësve para drejtësisë, vijoi ai.