Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u nderua dje nga komuna e Deçanit me titullin Qytetar Nderi me motivacionin: Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare dhe angazhimin diplomatik, për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Ky titull iu dorëzua Bashës pikërisht në ditën kur Kosova përkujton 15-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, si dhe 16-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Asamblenë Komunale të Deçanit, kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj vlerësoi kontributin dhe mbështetjen që Lulzim Basha ka dhënë në procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga vendet e tjera.
Basha
Në fjalën e tij Lulzim Basha e cilësoi titullin e dhënë si një privilegj të madh ndërsa vlerësoi kontributin dhe sakrificën e bërë nga luftëtarët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Qëndresa e UÇK që njihet si epopeja e Dukagjinit, nën drejtimin e komandantit Ramush Haradinaj ka hyrë tashmë në historinë tonë kombëtare, ndaj sot më jepet rasti nga kjo foltore të shpreh ndjenjat e mia por edhe të bashkëqytetarëve të mi të Tiranës e gjithë Shqipërisë, teksa përulemi me nderim e respekt, mirënjohje e krenari të thellë kombëtare para gjakut, veprës e kontributit të luftëtarëve të UÇK që sakrifikuan jetën e tyre dhe gjithçka tjetër që kishin, në mënyrë që shqiptarët këndej e andej kufirit të shijojnë sot së bashku frytet e lirisë e të bëjnë së bashku planet e projektet e tyre, drejt përparimit për futjen e vendeve tona në BE dhe strukturat euro-atlantike, u shpreh Basha.
Putin
Në vijim të fjalës së tij, kryebashkiaku i Tiranës Basha u ndal edhe tek krahasimi që po i bëhet situatës në Krime me Kosovën duke e cilësuar atë si një justifikim të Presidentit të Rusisë Vladimir Putin. Dua të ripohoj edhe faktin se ata që deri dje e kundërshtuan me gjithë forcën e tyre pavarësinë e Kosovës, ata që deri dje u bënë mburojë e krimeve dhe spastrimeve genocidale nga agresioni serb, sot mundohen ta përdorin Kosovën si një alibi për të hequr paralele të papranueshme me veprimet e tyre, në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare. E kam fjalën këtu, për qëndrimet e papranueshme, në raport me gjendjen në Krime e cila është krejt e ndryshme ndaj dhe çdo paralele me këtë gjendje është e pavend dhe një justifikim i Presidentit Putin dhe Rusisë e cila ende se ka njohur Republikën Kosovës, deklaroi Basha. Vizita e Lulzim Bashës në Deçan nisi me homazhet në nderim të heronjve të kombit në qendër të Deçanit dhe në kompleksin memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan. Një manifestim i veçantë me titull: Epopeja e Dukagjinit ka mbyllur kremtimin e 15 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe 16 vjetorit të epopesë së UÇK-së në Dukagjin.