Kreu demokrat deklaroi nga Vlora se vendi ndodhet në emergjencë kombëtare. Sipas tij, në vend nuk ka më gjykata dhe as prokurorë për të gjykuar bandat.


Për sa i përket çështjes së Teatrit, ai theksoi se ai nuk është gjë tjetër veçse ligji Fusha për grabitjen e Teatrit. Veç kësaj, Basha shtoi se Rama nuk e do Vettingun në politikë.


Në krah të Bashës ndodhet kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi.


Ndërsa ne jemi mbledhur në këtë sallë, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë një mazhorancë e korruptuar dhe inkriminuar deri në palcë po ndërmerr një akt të paprecedentë në historinë 300 vjeçare të Europës. Edi Rama, hajdutët dhe kriminelët e tij në parlament bashkë me një luftë delesh u kapën flagrant në aktin e vjedhjes përmes procedurës së përshpejtuar dhe ligjit special Rama-Fusha për grabitjen e pronës publike dhe Teatrit Kombëtar.


Ata kanë si qëllim që së bashku me mafien e drogës dhe përfaqësuesit e tyre në industrinë e ndërtimit të ngrinin 7 kulla me një vlerë 200 milion eurosh. Nga Uashingtoni në Bruksel nuk ka njeri që se kupton më që Edi Rama është hajdut me damkë, qëllimi i vetëm i të cilit është të mbahet pas karriges për të zhvatur edhe centin e fundit dhe pasurinë e fundit publike të shqiptarëve, deklaroi Basha.


Opozita e Bashkuar ka zgjedhur Vlorën dhe jo Parlamentin, sipas tyre për të të qëndruar atje ku njerëzit janë të rrezikuar dhe të pasigurt nga bandat dhe jo në godinën ku bandat përfaqësohen nga qeveria…


20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)