Qeveria shqiptare përshëndeti dje takimin e sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, me liderët kosovarë, Sejdiu e Thaçi. Në një deklaratë të posaçme, Ministria e Jashtme e Shqipërisë shprehet se ky takim është konfirmim i vlerësimit të punës së institucioneve të Kosovës, progresit të dukshëm për konsolidimin e demokracisë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë vlerëson angazhimin konstant të Shteteve te Bashkuara në rrugën që po ndjek Kosova për ndërtimin e shtetit demokratik. Në deklaratë thuhet gjithashtu se Kosova e pavarur është tashmë një realitet i pakthyeshëm dhe njohja e saj ndërkombëtare, e pandalshme. Autoritetet më të larta të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi u pritën para dy ditëve zyrtarisht në Uashington nga sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, ndërsa ditën e hënë ata do të takohen me Presidentin e SHBA-së, Xhorxh W. Bush. Pritet që Presidenti Bush t’u shprehë dy udhëheqësve mbështetjen e tij të fortë ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për krijimin e një shteti demokratik, të begatë dhe shumetnik, institucionet e të cilit t’u shërbejnë gjithë qytetarëve të Kosovës.