10/11/2009  Sigurimi i kufijve


TIRANE-Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti në një takim Drejtorin për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Evropian Jean-Louis de Brouwer dhe Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin Luigi Soreca. Ministri Basha paraqiti për funksionarët e KE ecurinë e deritanishme dhe arritjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave me BE-në.


Basha theksoi aktualisht numri i aplikimeve për pasaporta biometrike ka arritur në 252, nga të cilat rreth 244 mijë janë prodhuar. Sistemi i aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit është nga më modernët në Evropë, është i shpejtë dhe funksionon me efikasitet të plotë. Gjithashtu Basha i tha përfaqësuesve të BE-së se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, si mundësohet lidhja e tyre me bazën e të dhënave të INTERPOL-it dhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Ndërkohë Jean-Louis de Brouwer vlerësoi maksimalisht këto arritje duke u shprehur se kriteret kryesore të udhërrëfyesit ose janë përmbushur plotësisht, ose janë pranë konkretizimit. De Brouwer e cilësoi mjaft të rëndësishëm edhe faktin se mekanizmat dhe sistemet e krijuara funksionojnë normalisht.


Në takim ishte edhe shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan.