Kreu i PD-së, Lulzim Basha duke folur në aktivitetin përkujtimor të 8 dhjetorit 1990, ka hedhur akuza ndaj pushtetit të sotëm të Edi Ramës. Sipas Bashës, sot një grusht hajdutësh janë në pushtet dhe po vjedhin shqiptarët.


Ai shtoi se edhe sot, kushtet e studentëve janë mesjetare, pa dushe, me kova në dhoma me krevate marinari.


Studentët e dhjetorit u çuan fillimisht për kushtet ekonomike, por e kuptuan menjëherë se pa liri politike nuk mund të kishte liri. Kjo ditë na kujton se vetëm njerëzit që ngrihen janë të lirë.


Njerëzit e bashkuar mposhtin diktaturat, regjimet e korruptuara dhe padrejtësinë. Është ftesa ime e parë dhe leksioni i parë që po japin studentët e bashkuar të dhjetorit të dytë.


Një qeveria që nuk ka frikë nga qytetarët dhunon pronat, jetën e tyre. Kjo ka vite që po ndodh në Shqipëri.


Për vite shqiptarët ishin në errësire, endeshin në errësirën e burgosjes, vrasjes pa gjyq në diktaturën që i kishte kthyer në popullin më të varfër.


Nga ky shesh, studentët hapën dritën e ndryshimit. Edhe sot shumica e shqiptarëve gjenden në errësirë, të braktisur, të vjedhur e të nëpërkëmbur në një pushtet të mbledhur në një dorë të vetme. Edhe sot, kushtet e studentëve janë mesjetare, pa dushe, me kova në dhoma me krevate marinari.


Sot janë një grusht hajdutësh që merr vendimet për shqiptarët dhe ky grusht hajdutësh ka vetëm një projekt: atë të vjedhjes dhe grabitjes së shqiptarëve, deklaroi Basha.


Basha është shprehur se nëse nuk do të ketë Vetting në politikë, parlamenti do të bjerë dhe do të rrëzohet.


Ti prijmë betejës për të hapur politikën, për ta bërë të aksesueshme nga çdo kush, pavarësisht mundësive ekonomike, që të marrin pjesë në vendime. Vetëm kështu do ti japim një trase të sigurt ëndrrës së studentëve të dhjetorit të dytë.


Vetëm kështu deputetët, kryebashkiakët, këshilltarët nuk janë produkt i hajdutëve, krimit, vjedhjes, por janë produkt i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe rinisë shqiptare.


Sot në frymëzohemi nga 8 dhjetori i 1990 dhe ti drejtojmë një apel prindërve të studentëve të dhjetorit të dytë: mos heshtni, mos kini frikë, ngrihuni e bashkohuni me ta kundër padrejtësisë, vjedhjes, të keqes. E keqja zmbrapset kur populli bëhet bashkë.


Le ta japim sot nga ky shesh ultimatumin tonë politik, si testament të Azem Hajdarit dhe dhjetorit 1990: Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi ose do të rrëzohet, tha ndër të tjera kreu i PD-së Lulzim Basha.


8 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)