Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, do të vizitojnë të enjten së bashku tri lokalitetet e trashëgimisë kulturore në komunën e Prizrenit.

Janë këto Shtëpia e Vjetër e Sheh Zades (projekt i International Relief Development – IRD), Hidrocentrali (projekt i Cultural Heritage without Borders - CHwB) dhe Kisha e Shën Nikollës (projekt i International Relief Development – IRD), e cila ndodhet në fshatin Bogoshevc.

Ndryshe, që të tri lokalitetet e parapara për vizitë nga zyrtarët e lartë janë vetëm disa prej lokaliteteve kosovare me vlerë, për të cilat Ambasada e SHBA’ve do të japë 1.5 milionë dollarë amerikanë si ndihmë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Me këtë rast, pritet që ambasadori Dell dhe zyrtarët e lartë të vendit të mbajnë fjalime rasti.