Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari nisën sot fushatën e mbjelljes së pemëve dekorative në rrugën Arben Broci në Paskuqan dhe në Qendër-Babrru.


Jepi jetë Kamzës – Dhuro një pemë është nisma e Bashkisë Kamëz për shtimin e gjelbërimit. Ky projekt në tërësinë e tij do të mundësojë mbjelljen e rreth 10 mijë pemëve dekorative në të gjithë territorin e Bashkisë Kamëz.


Sot u mbollën 250 pemët e para dekorative në kuadër të nismës për një ambient sa më të përmirësuar për qytetarët e Kamzës.


Në emër të tyre do të dëshiroja tju kërkoja të bëheni pjesë e aksionit qytetar dhe të Bashkisë Kamëz për mbjelljen e pemëve dekorative për rrugët e qytetit dhe pyllëzimin e anësoreve të lumenjve, – tha ndër të tjera z. Mziu, i cili ishte i shoqëruar nga prefektja e Tiranës, znj. Suzana Jahollari.


Nisma për mbjelljen e pemëve dekorative në qytetin e Kamzës filloi në vitin 2007 dhe prej atëherë e deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar mbi 26 mijë pemë të mbjella.


Bashkë me prefekten Jahollari, z. Mziu inspektoi edhe bllokun në Qendër-Babrru, një investim madhor i Bashkisë Kamëz. Reforma territoriale bashkëngjiti edhe ish-komunën e Paskuqanit me Bashkinë Kamëz, e cila me buxhetin financiare planifikoi dhe investoi në qendrën e Njësisë Administrative Paskuqan, Babrru-Qendër mbi 25 km rrugë të standardeve bashkëkohore, me ndriçim, gjelbërim, dhe aksesorë të tjerë për infrastrukturën.


Vetëm rivitalizimi i Qendrës Urbane Babrru, një investim që i ka kushtuar jo pak Bashkisë, përfshin ndërtimin e rrugëve, trotuareve, ndriçimin, gjelbërimin, ndryshim fasade, stola dhe elemente të tjera ndihmëse për disiplinimin e mbetjeve (kosha mbeturinash).


23 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)