Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Joana Bushi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë së cilës i është kundërpërgjigjur akuzave të zv/ministrit të Brendshëm Ferdinand Poni në drejtim të bashkisë së Tiranës.
"Qeveria e Sali Berishës nuk ndal sulmet e shpifjet ndaj Bashkisë së Tiranës, kjo qeveri nuk ndal as dhunimin permanent ndaj ligjit dhe Kushtetutës.
Pasi masakroi financat e Bashkive dhe komunave, qeveria e Sali Berishës i hapi luftë biznesit të vogël, duke e kaluar arbitrarisht në biznes të madh, ndërkohë që pjesëtarët e kësaj qeverie shkelin ligjin, duke mos paguar në kolektiv taksat dhe tarifat vendore, detyrim ligjor i çdo qytetari" tha Bushi.
Sipas saj, qytetarët e Tiranës, të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat e tarifat e pastrimit, gjelbërimit, pasurisë etj, duhet të informohen që me lekët e tyre pastrohen dhe gjelbërohen dhe lagjet e zonat e banimit të pushtetarëve, të cilët nuk denjojnë të zbatojnë rregullat e komunitetit. "Sot, po ju bëjmë me dije listën e ministrave dhe Zv/ministrave që nuk kanë paguar taksat dhe tarifat vendore, listën e kryeson vetë Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, pjesë e ministrisë të cilën drejton, është dhe pushteti lokal. Por rekordin e thyen një nga ndotësit më të mëdhenj, vetë shtetasi Ferdinad Njazi Poni, zv/Ministër i Brendshëm, i cili ka 3 vjet pa paguar asnjë taksë apo tatim, pra një shkelje e ligjit me të dyja këmbët" theksoi Bushi.