Tiranë- Pas tre muajsh sheshi “Shtraus” i njohur ndryshe si “Xhamlliku”, do të shndërrohet në një shesh urban pedonal. Më një fond prej rreth 22 milionë lekësh investim nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, në kuadrin e rikualifikimeve urbane të shesheve në Tiranë, sheshi “Shtraus” do të jetë pjesë e listës së shesheve, të cilët së shpejti do t’i ofrojnë Tiranës një tjetër imazh.
Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, i pranishëm në fillimin e punimeve theksoi se sheshi do të bëhet shumë shpjet një shesh i bukur këmbësorësh për më të moshuarit dhe fëmijët e një lagjeje të Tiranës. “Shesh ku tashmë bashkëjetojnë banorët e djeshëm, të ardhurit e viteve të lirisë dhe tranzicionit të cilët kanë në dispozicion një infrastrukturë gjithnjë e më bashkëkohore, gjithnjë e më tepër në shërbim të tyre dhe në përshtatje me ekzigjencat e një kryeqyteti europian“- tha ai.
Sheshi Shtraus ndodhet në pjesën lindore të Tiranës, përgjatë aksit të rrugës “Qemal Stafa”, në kryqëzimin e saj me rrugën “Hoxha Tahsim”. Aktualisht pjesa qendrore e sheshit shërben si pikë kontakti për pensionistët dhe fëmijët e blloqeve të banimit rreth tij. Ai identifikohet gjithashtu një ishull në trafikun automobilistik.
Duke analizuar këtë situatë si dhe zhvillimet e fundit në kuadrin e rikonstruksionit të rrugëve në qytet, u mendua se hapësira e re urbane e sheshit që do të përftohet, duhet të ofrojë një hapësirë të mirëfilltë pushimi, një hapësirë komode pedonale si dhe të shmangë trafikun, ose të jetë në krah të tij. Kjo do të arrihet duke e kthyer sheshin Shtraus në një shesh pedonal.
Shtrimi i sipërfaqeve të sheshit do të bëhet kryesisht me beton të derdhur në vend, me stampim dekorativ. Pjesa qendrore e tij (platforma e mbjellë me pemë) do të ketë ngjyrë të bardhë dhe do të trajtohet me fuga në të dyja drejtimet. Pjesa masive e sipërfaqes së sheshit do të ketë ngjyrë të kuqërreme, me teksturën e vendosjes së tullave.
Ky shtrim do t’ia shtojë atij karakterin “piazza” dhe “pedonal” në të njëjtën kohë.
Periferitë e sheshit do të konturohen me kufizues trafiku.
Ndriçimi është element i rëndësishëm në shesh. Sheshi i ndriçuar ofron tjetër ndjesi dhe imazh për qytetin. Ndriçimi do të bëjë të mundur që sheshi të jetë po aq i gjallë gjatë mbrëmjeve sa edhe ditën. Është menduar një ndriçim i platformës së mbjellë me pemë, e pikërisht i trungjeve të pemëve, nga poshtë lartë, që ato të jenë po aq të lexueshme edhe natën. Në pjesën pedonale në veri dhe lindje të sheshit do të vendosen ndriçues pedonal, të cilët do ta bëjnë më të lexueshme hapësirën rreth platformës qëndrore të tij.