LUBJANË- Bashkia e Tiranës do të nisë një bashkëpunim me bashkinë e Lubjanës.

“Bashkëpunimi mes dy bashkive do të përqëndrohet në shkëmbimin e eksperiancave në çështje si, Plani Urbanistik, infrastruktura, riciklimi i mbetjeve, trafiku, ndërtimi i Parkut Teknologjik si dhe aspekte të ekologjisë dhe pastërtisë së qytetit”,- thuhet në njoftimin e bashkisë së Tiranës.

Këtë konfirmim kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e mori gjatë vizitës së tij që zhvilloi dje në kryeqytetin e Sllovenisë. Në takimin që Basha  pati me homologun e tij slloven Zoran Jankovic u përcaktuan fushat konkrete të bashkëpunimit me bashkinë e Lubjanës.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, që pas zgjedhjes së tij në këtë detyrë. Basha në këtë vizitë e ftoi kreun e bashkisë së Lubjanës për të vizituar kryeqytetin e Shqipërisë.
(e.m/BalkaNWeb)