Bashkia e Tiranës deklaron se në buxhetin e saj për vitin 2016, është më i madhi për këtë institucion dhe synon të zgjidhë një sërë problemesh, si investimet në shkolla, shtrirjen e rrjetit të transportit urban në të gjithë qytetin, etj. Në deklaratën për shtyp të Bashkisë Bashkisë së Tiranës thuhet se paketa e vitit 2016, ul taksat për biznesin e vogël si dhe për fermerët që punojnë tokën në pjesën rurale të qytetit.

"Fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejtë nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe i'u fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin.

Pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Hollanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s'pati kurrë guximin t'i ndërmarrë ato.

Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve, janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e anti-qytetarisë kundër zhvillimit të qytetit", thotë bashkia.

DEKLARATA E BASHKISE SE TIRANES

Këshilltarët Bashkiakë të Tiranës miratuan dje me një shumicë të cilësuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për vitin 2016. Ky është buxheti më i madh që Bashkia e Tiranës ka pasur në dispozicion në historinë e saj. Nëpërmjet këtij buxheti, gjatë 2016-ës, do të fillojnë të jetësohen zgjidhjet e problemeve madhore, nën të cilat qyteti ka lënguar në 4 vitet e fundit.

Këtë vit fillojmë investimin për zgjidhjen përfundimtare të shkollave me dy turne, një plagë e turpshme për kryeqytetin e vendit; i japim zgjidhje problemit të pastrimit, mbledhjes dhe depozitimit të plehrave, të cilin e gjetëm në situatë emergjence; si dhe modernizojmë dhe shtrijmë rrjetin e transportit urban në të gjithë qytetin.

Buxheti i ri ndërtohet mbi një paketë fiskale të përgjegjshme, e cila ul taksat për biznesin e vogël, përjashton nga disa taksa familjet në nevojë, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar. Ul me 30% taksat për njësitë administrative rurale, dhe ul me 30% taksën e tokës bujqësore për ata që e punojnë tokën.

Duke mbledhur më shumë të ardhura, nga më shumë banorë, e më shumë nga ata që kanë më shumë, ky buxhet sjell zgjidhje të vështira, por të domosdoshme për zhvillimin e qytetit.

Pas dy javë negociatash, dje Këshilli Bashkiak miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për të mos e rritur çmimin e biletës së autobusëve urbanë, por vetëm për ta indeksuar atë, me normën e inflacionit të 8 viteve, si një masë e detyrueshme ligjore për të dalë nga situata e rënduar që trashëguam në muajin gusht.

Por, fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejtë nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe i'u fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin. Pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Hollanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s'pati kurrë guximin t'i ndërmarrë ato. Ky njeri, nuk e deshi kurrë qytetin e Tiranës dhe nuk e do zhvillimin e tij. Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve, janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e anti-qytetarisë kundër zhvillimit të qytetit.